Mickoski thirrje opozitës: Paraqituni në punë nëse nuk doni të kalojë ligji për përfaqësim

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Fronti Evropian edhe më tej është i pakënaqur me ligjin për përfaqësim të drejtë dhe mënyrën si u vendos të trajtohet nga Komiteti për Marrëdhënie mes Bashkësive. Vlerësojnë se ajo që ka bërë komiteti do të lë pasoja afatgjate edhe për përbërjet e ardhshme parlamentare ndërsa paralajmërojnë se do të dorëzojnë amendamente. Deputeti Blerim Bexheti për Alsat tha se Komiteti nuk mund të vendosë se si të trajtohet ligji por thjeshtë vendos se një ligj duhet të trajtohet me badenter.

“Sigurisht që ne si grup parlamentar do të reagojmë me të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion konform rregullores që të mundohemi ta evitojmë apo ta parandalojmë këtë çështje shumë të rëndësishme që i tejkalon kufijtë partiak. Ky është dëm që bëhet për 20-30 vitet e ardhshme minimalisht ndaj shqiptarëve, pra ky përcaktim që të votohet me badenter të vogël pasi që defaktorizon votën e deputetëve jo vetëm të këtij legjislacioni por edhe legjislacioneve të ardhshme të shqiptarëve në Parlament”, deklaroi Blerim Bexheti, deputet i Frontit Evropian.

Kryeministri Hristijan Mickoski hodhi poshtë akuzat e BDI-së. Sipas tij, nuk ekziston badenter i madh apo i vogël. Mickoski shtoi se nëse deputetët shkojnë rregullisht në seanca nuk ka pse të frikësohen nga mënyra e votimit.

“Nuk ka të vogël të madh. Ligji do të votohet me shumicë votash nga deputetët prezent të cilët nuk janë pjesë e bashkësisë shumicë në Maqedoni. Nëse grupi i deputetëve e cila ju thoni se është opozitë dhe është e pakënaqur, nëse janë prezent vazhdimisht në punë atëherë në këtë mënyrë munden të mos e votojnë ligjin, por ja unë iu bëj thirrje ta votojnë”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër

Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka hyrë në procedurë parlamentare dhe po debatohet në Komisionin për Sistem Politik. Por paraprakisht Komiteti për Marrëdhënie mes Bashkësive ku kryetar është deputeti i VLEN, Adnan Azizi, vendosi që ligji të trajtohet me badenter të vogël, respektivisht me shumicë votash të deputetëve jo maqedonas të cilët do të jenë prezent momentin e votimit dhe jo me badenter të madh që nënkupton se duhen së paku 20 nga gjithsej 39 deputetë nga komunitetet jo shumicë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button