Mickoski kërkon zgjedhje të shpejta, të organizuara nga qeveria teknike

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, kërkon marrëveshje për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas tij, zgjedhjet duhet të jenë të shpejta për shkak se qeveria aktuale nuk ka legjitimitet dhe motivim të udhëheqë zgjidhjen e krizave të cilat priten. Mickoski thotë se zgjedhjet e parakohshme janë opsion më i mirë se sa qeveria e re përmes shumicës së re parlamentare.

“Vlerësoj se opsioni i parë, formimi i shumicës së re parlamentare nuk do të japë energji të re e cila është e nevojshme për reformat, të ardhmen e re që do ta ndërtojmë dhe zgjidhjen e këtyre problemeve. Kjo vetëm do të na dërgojë në bisedime, negociata dhe oferta të reja të cilat do ta zbehin kapacitetin e institucioneve dhe do të krijohet pasqyrë të re e cila nuk do ta pasqyrojë vullnetin e popullit nga zgjedhjet që përfunduan. Prandaj, në këtë moment, zgjidhja më e mirë për Maqedonia është shpallja e zgjedhjeve të shpejta të parakohshme parlamentare me respektimin e afateve Kushtetuese dhe ligjore”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Mickoski thotë se zgjedhje të parakohshme mund të shpallen sa më shpejt që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të mund t’i organizojë ato. Ai thotë se paraprakisht do të formohej Qeveri teknike me ministra nga radhët e partisë së tij.

“Nëse Qeveria e refuzon dorën e zgjatur për zgjedhje të shpejta parlamentare, jofunksionimi i pasuksesshëm që nga ky moment e andej, kriza energjetike që troket pas dere dhe të cilën e paralajmërojmë shumë moti, vala e re të pandemisë, katastrofa në arsim, rënia e madhe ekonomike, e prodhimtarisë, ndërtimtarisë, etj., do të jenë kryekëput përgjegjësi e kësaj Qeverie në largim”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.

LSDM-ja nuk pranon kërkesën e Mickoskit për zgjedhjeve të parakohshme. Nga partia e Zaevit thonë se me këtë kërkesë të tij, bien në ujë pretendimet e pavërteta për shumicë te re.

“LSDM-ja dhe koalicioni qeveritar morën më shumë vota për këshilltar se sa opozita. Shumica parlamentare nuk do të votojë për zgjedhje të shpejta parlamentare sepse shteti është më i rëndësishëm se tërbimi i Mickoskit. Qytetarët kanë nevojë për Qeveri e cila arrin rezultate, posaçërisht në kohë pandemia dhe krize energjetike, Qeveri e cila ka kurs evropian veprimi dhe e cila nuk do t’i frenojë proceset eurointegruese”, njoftojnë nga LSDM.

Opozita shqiptare nuk është në një mendim me VMRO-DPMNE-në. Sipas tyre, zgjedhje të parakohshme nuk mund të organizojë Qeveria në të cilën ndodhet edhe BDI-ja. Aleanca për Shqiptarët kërkon formimin e shumicës së re dhe zgjedhjen e një Qeverie të re e cila më vonë do të organizonte zgjedhje të parakohshme eventuale.

“Ne vlerësojmë se nuk mund të ketë zgjedhje të lira me BDI-në në pushtet. Kjo Qeveri, me ciklet e fundit ka dëshmuar se nuk ka kapacitet dhe as gatishmëri për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike. Nuk mund të flasim për demokraci kur i gjithë shteti vihet në shërbim të partive në pushtet, qytetarët kërcënohen dhe shantazhohen, ndërsa votat blihen dhe vidhen”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Zërat për shumicë të re të mundshme u shtuan pas zgjedhjeve lokale në të cilat LSDM-ja pranoi se pësoi humbje. Partitë opozitare nuk komentojnë vonesat në dorëzimin e dorëheqjes së Zaevit por kërkojnë që kjo të realizohet sa më shpejt.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button