Mickoski në takim me Kasamin e Mexhitin: Punojmë aktivisht që të mundësohet provimi i jurisprudencës në shqip

Gazetar: Suad Bajrami

Disa orë përpara fillimit të protestës së studentëve për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, në qeveri është mbajtur takim mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe bashkëkryetarëve të VLEN-it, Izet Mexhiti e Bilall Kasami. Temë diskutimi ka qenë kërkesa e studentëve ndërsa sipas komunikatës së Qeverisë është theksuar se çështja mund të zgjidhet vetëm përmes një qasjeje të përbashkët, të matur dhe dinjitoze.

“Bashkëbiseduesit u pajtuan se arsimi dhe dija përfaqësojnë themelin e çdo shteti bashkëkohor dhe të suksesshëm. Prandaj, institucionet punojnë në mënyrë aktive në gjetjen e zgjidhjeve që do të jenë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, me qëllim sigurimin e sigurisë juridike dhe funksionalitetit”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Ndaj takimit kanë reaguar nga BDI. Nënkryetari i integristëve, Bujar Osmani thekson se  nuk ka nevojë për zgjidhje, pasi që kjo veçmë parashihet me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

“Duhet vetëm të implementohet. Por këta albanofobë nuk e llogarisin Ligjin për Gjuhët, sepse planifikojnë ta zhbëjnë atë. Prandaj duan ta fragmentojnë shqipen copë-copë, që përdorimi i saj të mbetet në mëshirën e Kryeministrit se ku duhet dhe ku nuk duhet të përdoret”, shkruan Osmani.

Ndonëse sot nuk u dha ndonjë afat konkret nga qeveria për zgjidhjen e çështjes, liderët e VLEN-it, Mexhiti e Kasami, mbrëmë postuan statuse në rrjetet sociale, me përmbajtje: “Provimi i jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe! Së shpejti me lajme të mira…”.

Derisa funksionarët e BDI-së vazhdimisht kanë bërë thirrje për mbështetje të protestës, funksionarët e VLEN-it akuzojnë partinë e Ali Ahmetit për politizim dhe keqpërdorim. Nëpërmjet komunikatave, VLEN pyet se kundër kujt protestojnë fëmijët e funksionarëve të BDI-së, kundër prindërve të tyre apo kundër pasojave të politikave që vetë BDI i la pas 22 vite./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button