Mickoski paralajmëron ulje të karburanteve, LSDM kritikon qeverinë për shtrenjtimet para festës
Gazetare: Melihate Rrustemi
Ditëve në vijim, Qeveria pret ulje të çmimeve të karburanteve. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se, sipas analizave të fundit, benzina pritet të ulet për 1.5 denarë për litër, ndërsa nafta për 2.5 denarë. Sipas përllogaritjeve, Mickoski tha se çmimi maksimal i benzinës 95 oktan mund të arrijë në 82 denarë për litër, ndërsa ajo 98 oktan në 84 denarë. Çmimi i naftës pritet të jetë rreth 95.5 denarë për litër. Gjithashtu kryeministri theksoi se masat aktuale, përfshirë uljen e TVSH-së dhe akcizave, do të vazhdojnë edhe gjatë javës së ardhshme.
“Përveç analizave, natyrisht, janë përfshirë edhe llogaritjet me qëllim që të parashikojmë me kohë lëvizjet e çmimeve të naftës dhe benzinës. Mbi bazën e një kalkulimi që bëmë, presim që në seancën e ardhshme të Komisionit Rregullator për Energjetikë të merret vendimi me të cilin do të kemi ulje të çmimeve të dizelit dhe benzinës. Konkretisht, Eurosuper 95 dhe Eurosuper 98 të ulen me 1.5 denarë, ndërsa dizeli të ulet me 2.5 denarë,” dekdlaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Mickoski gjithashtu njoftoi se qeveria të martën do të analizojë çmimet e produkteve dhe do të vendosë për masa të mundshme. Ndërkohë, opozita maqedonase ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit. Nga LSDM akuzojnë se, në vend të masave konkrete për përballimin e rritjes së çmimeve, qeveria po merret vetëm me publikimin e çmimeve të karburanteve.
“Mickoski nuk shpall masa për uljen e çmimeve dhe mbrojtjen e standardit të jetesës, por lexon çmimet e karburanteve të cilat i përcakton Komisioni Rregullator për Energjetikë. Me sa duket, kjo ndodh sepse edhe ky Komision nuk është i pavarur, por pjesë e rrjetit të tij të biznesit. Tashmë prej 45 ditësh çmimet janë në nivele të larta, pa asnjë ndërhyrje serioze nga Qeveria. Nuk ka masa, nuk ka plan, nuk ka kujdes për qytetarët,” thanë nga LSDM
– Mickoski lexon çmimet, nuk merr masa
– Janë rritur çmimet e produkteve, nuk mbrohet standardi
– Politikat ekonomike të qeverisë, të gabuara
Sipas opozitës, çmimet e produkteve bazë ushqimore kanë shënuar rritje të ndjeshme në javët e fundit, duke e bërë jetesën më të vështirë për qytetarët. Ata theksojnë se shumë familje përballen me vështirësi ekonomike, sidomos në prag të festave, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga qeveria. /Alsat.mk







