Mickoski përsëriti se shteti duhet të shndërrohet në “një” njësi zgjedhore
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Kryeministri Hristijan Mickoski përsëriti qëndrimin se shteti duhet të shndërrohet në “një” njësi zgjedhore duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai theksoi se duhet të vendoset edhe prag zgjedhor. Mickoski gjithashtu vlerëson se në zgjedhje duhet të votojë edhe diaspora por siç tha, duhet të hapen më tepër vendvotime pasi në disa shtete, përfaqësitë konsulare diplomatike gjenden larg vendbanimeve ku jetojnë shtetas të Maqedonisë.
“Ne jemi për “një” njësi zgjedhore, këtë e thash edhe në takimin e liderëve. Normalisht të ketë një prag të caktuar të cilin do ta dakordonim me partitë e tjera politike. Në atë një njësi zgjedhore, logjikisht duhet të votojë edhe diaspora por problem thelbësor te votimi i diasporës është se disa përfaqësi diplomatike konsulare janë në largësi dhe nuk ka shumë interes, veçanërisht kjo ndodhë në Australi dhe në pjesën veriore të Amerikës”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Ndërkohë grupi i punës për Kodin Zgjedhor deri tani ka mbajtur vetëm dy takime dhe nuk ka arritur pajtim për ndonjë çështje. Ditë më parë në takimin e dytë theksuan se kanë pranuar disa draft ndryshime që do t’i shqyrtojnë e që kanë të bëjnë vetëm me rekomandimet e ODIHR-së. Pasi të shqyrtojnë draftin, ata do të mblidhen përsëri. Për momentin grupi i punës flet vetëm për propozim-ndryshime dhe jo për Kod të ri Zgjedhor, ashtu siç pritej ose ashtu siç kërkon BE-ja. Në rast se do të ndryshohet më shumë se 30% e ligjit, atëherë do të llogaritet si Kod i ri zgjedhor. Grupi i punës është larg hapjes së diskutimit edhe për modelin zgjedhor, njësitë zgjedhore, listat e hapura dhe uljen e numrit të deputetëve.
Përpos Aleancës për Shqiptarët, deri tani partitë e tjera janë pajtur që vendi të bëhet me vetëm një njësi zgjedhore. Dallimi është vetëm te përqindja e pragut pasi nëse vendoset prag prej 5%, sipas rezultateve të fundit të zgjedhjeve parlamentare, në Kuvend vend do të siguronin vetëm VMRO, LSDM, VLEN dhe BDI. Partitë më të vogla kërkojnë që pragu të jetë 2 deri në 3%. / Alsat.mk.








