Mickoski propozon që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj – Flet Kovaçevski
Mickoski propozon që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj – Flet Kovaçevski

Gazetar: Lluka Andreev
Duke komentuar propozimin e kryetarit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski për zgjedhje të dyfishta në maj të vitit të ardhshëm, të cilat do të mbaheshin në kohë të rregullt, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se me këtë ofertë nga opozita tani është e qartë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, shkruan Alsat.
Kovaçevski nuk u përgjigj se përse vonohet grupi ndërpartiak që do të negocionte datën për zgjedhjet e ardhshme. Ai theksoi se në grup të tillë duhet të marrin pjesë të gjitha partitë politike.
“Unë besoj se këto takime duhet të jenë një marrëveshje e përgjithshme midis partive politike, të cilat do të jenë në gjendje të ulen në nivelin e grupeve të punës që do të diskutojnë detaje të tilla në lidhje me zgjedhjet, sepse tani po diskutojmë detajet e zgjedhjeve. Çështja e zgjedhjeve të parakohshme tani nuk është më në tavolinë”, tha Dimitar Kovaçevski – kryeministër.
Një ditë më parë Mickoski ofroi të organizohen zgjedhje parlamentare në të njëjtën datë me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Sipas kreut të opozitës, në mënyrë që këto zgjedhje të dyfishta të zhvillohen në kohën e rregullt dhe të shmangen harxhimet shtesë, marrëveshja duhet të arrihet për datën 8 maj në vend të 5 majit, kur festohen Pashkët.
Nëse qeveria do ta pranojë ofertën, do të dihet pasi të fillojë me punë grupi ndërpartiak.
“Kur të harmonizohen të gjitha qëndrimet, atëherë mund të informohet edhe opinioni. Deri atëherë, gjithçka është në nivelin e dëshirave, në nivelin e spekulimeve, dhe unë kurrë nuk komunikoj në nivelin e dëshirës ose në nivelin e spekulimeve”, u shpreh Dimitar Kovaçevski – kryeministër.
Nuk ka qëndrim nga partitë e tjera nëse 8 maji është datë e pranueshme për organizimin e zgjedhjeve. Partia Lëvizja Demokratike paraprakisht tha se dëshironin zgjedhje sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa BDI thotë se për ta është i pranueshëm çdo variant.
8 maji, si datë e propozuar nga opozita është data e fundit kur mund të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, duke pasur parasysh faktin se duhet të ketë 72 orë, përkatësisht tre ditë për ankesa në lidhje me procesin zgjedhor, ndërsa presidenti i ardhshëm i vendit duhet të inaugurohet më 12 maj./ Alsat.mk