Mickoski: Referendumi do të jetë vendimtar për bullgarët në Kushtetutë

Mickoski: Referendumi do të jetë vendimtar për bullgarët në Kushtetutë

Gazetar: Adreian Kerimi

VMRO-DPMNE-ja në shtator mund të fillojë grumbullimin e nënshkrimeve të nevojshme për referendum mbi përbërjen e kornizës negociuese me BE-në dhe përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë. Kreu i opozitës, Hristijan Mickoski pritet që një ide të tillë ta shpalos para organeve partiake, shkruan Alsat.

Sipas Mickoskit nëse populli i thotë jo ndryshimeve kushtetuese në referendum, do të kërkohet kornizë tjetër negociuese.

“Akoma vazhdon analiza sepse bëhet fjalë për çështje serioze. Jemi njerëz serioz dhe duam që kur të dalim para qytetarëve duhet të dalim me fakte dhe dëshmi, të bazuara në fakte dhe me bazë juridike që të mos kemi interpretime se si do të kuptohet. Periudhën që vazhdon do ta shfrytëzoj për t’u konsultuar me ekspertë nga e drejta kushtetuese”, u shpreh Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

LSDM pyeti Mickoskin nëse paralajmërimi për referendum është qëndrim i tij zyrtar për të kundërshtuar gjuhën maqedonase në BE. Sipas Socialdemokratëve, gënjeshtrat e Mickoskit do të bien në ujë të martën kur vendi do t’i fillojë negociatat me BE-në.

“Pse Mickoski kërkon referendum? Para pak ditëve Kuvendi solli konkluzione me të cilat obligohet Qeveria që gjatë negociatave me BE-në nuk guxon të negocion për gjuhën maqedonase, identitetin dhe kulturën dhe se çështjet bilaterale nuk janë pjesë e kornizës. A ju pengon kjo VMRO-DPMNE-së dhe Mickoskit?”, nënvizoi Nenad Kociq, Deputet i LSDM-së.

Ndryshimet kushtetuese pritet të nisin pas mbarimit të procesit të skriningut në vendin tonë. Nuk dihet periudha e nevojshme për zbatimin e tij, por parashikimet jo zyrtare thonë se të paktën nevojiten 2 vite për një proces të tillë, që lë të kuptohet se përbërja aktuale parlamentare vështirë të ketë fatin e hapjes së Kushtetutës dhe plotësimit të preambulës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button