Mickoski: Sanksionet dhe kuotat e përfaqësimit do të jenë në aktet nënligjore, ka shumë shembuj të tillë

Kryeministri Hristijan Mickoski, në një intervistë për lajmet qendrore në Alsat, tha se sanksionet për moszbatimin e ligjit dhe kuotat e përfaqësimit nuk do të përfshihen drejtpërdrejt në ligj, por do të rregullohen me akte nënligjore dhe metodologji që do të hartohen pas miratimit të tij. Ai theksoi se kjo është një praktikë e njohur ligjore dhe se ka shumë shembuj të ngjashëm. Sipas tij, ligji do të hyjë në fuqi dhe do të jetë funksional menjëherë pas miratimit, ndërsa detajet për zbatimin dhe politikën ndëshkuese do të përcaktohen më vonë. Mickoski shtoi se metodologjia do të bazohet në dy kritere kryesore, përkatësinë etnike dhe cilësinë, në përputhje me vlerat e garantuara me Kushtetutë.

“Ka shumë shembuj ku sanksionet nuk janë të përfshira drejtpërdrejt në vetë ligjin, përfshirë edhe shumë ligje të tjera, madje edhe ligjin e mëparshëm, për të cilin qeveria e kaluar e LSDM-së dhe BDI-së dha një qëndrim të qartë se e kishte tejkaluar kohën e vet në një seancë qeveritare dhe se kjo qasje duhet të ndryshohet. Natyrisht, politika ndëshkuese që do të lidhet me këtë ligj do të përcaktohet me akte ligjore. Ekziston një afat i qartë kohor kur kjo politikë ndëshkuese duhet të harmonizohet. Kështu që qytetarët të jenë të qetë, ky ligj menjëherë pas miratimit do të jetë zyrtar dhe funksional, ndërsa në periudhën që vjen, me akte nënligjore do t’i përcaktojmë edhe ato pjesë për të cilat po flisni tani,” tha Kryeministri Hristijan Mickoski

“ Kur thoni akte nënligjore, e keni fjalën për metodologjinë që duhet të përgatitet?”

“Po, dhe gjithashtu për politikën ndëshkuese, pra ato pjesë që kanë të bëjnë me respektimin e ligjit dhe moszbatimin e tij,” tha Kryeministri Hristijan Mickoski

“Çfarë tjetër do të përmbajë metodologjia dhe a do të ketë kuota etnike?”

“Absolutisht që dy kritere do të jenë kyçe: përkatësia etnike, por edhe cilësia, pra gjithçka që përbën vlera të garantuara me Kushtetutë dhe vlera themelore të Kushtetutës sonë,” tha Kryeministri Hristijan Mickoski. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button