Trump mbërrin në Samitin në Francë, Macron nuk e pret personalisht

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbërritur në Samitin e G7-ës në vendpushimin francez Évian-les-Bains, ku liderët botërorë do të diskutojnë luftën në Ukrainë, çështjet ekonomike dhe marrëveshjen e fundit midis SHBA-së dhe Iranit.

Trump nuk u prit personalisht me të mbërritur nga Presidenti Francez Emmanuel Macron, siç ishte planifikuar fillimisht, por nga shefi i protokollit presidencial. Megjithatë, të dy udhëheqësit janë planifikuar të zhvillojnë një takim dypalësh gjatë samitit.

Pak para udhëtimit të tij në Francë, Trump kërcënoi përsëri se do të vendoste tarifa 100 për qind për verën franceze nëse Parisi nuk e shfuqizonte taksën mbi kompanitë e mëdha amerikane të teknologjisë.

Nga ana tjetër, Macron tha se Franca nuk do të dorëzohej ndaj kërcënimeve të tilla dhe vlerësoi se tarifat nuk u sjellin dobi vendeve të G7-ës.

Në samit pritet të diskutohet gjithashtu marrëveshja kornizë midis SHBA-së dhe Iranit për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit. Sipas njoftimeve, memorandumi i mirëkuptimit do të nënshkruhet të premten në Zvicër, ndërsa do të vijojnë negociata të tjera teknike për çështje më të ndjeshme, përfshirë programin bërthamor të Iranit.

Trump është planifikuar gjithashtu të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë samitit, ndërsa aleatët perëndimorë vazhdojnë të diskutojnë mbështetje të mëtejshme për Ukrainën.

LEXO EDHE:

Back to top button