Ministrja gjermane pret që Kosova e Serbia t’ia njohin dokumentet njëra-tjetrës më 13 maj

Ministrja gjermane pret që Kosova e Serbia t’ia njohin dokumentet njëra-tjetrës më 13 maj

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, gjendet për një vizitë në Kosovë. Ajo, sot është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin janë paraqitur edhe në një konferencë të përbashkët për media.

Ministrja gjermane, duke folur para gazetarëve, kërkoi dinamikë të re në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo bëri publike edhe pritjet e saj nga takimi i 13 majit mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.

Lambrecht tha se pret njohjen reciproke të dokumenteve mes dy shteteve, si një hap i parë.

“Shpresoj të ketë një dinamikë të re dhe të dalin vendime të mira më 13 maj në Bruksel. Hapat e parë do të mund të ishin vendimet për njohjen reciproke të dokumenteve dhe ky do të ishte hap i mirë”, tha ajo gjatë paraqitjes së përbashkët me Kurtin, raporton Gazeta Express.

Ministrja gjermane ka shprehur mbështetjen e saj për ambiciet e Kosovës për t’iu bashkuar aleancës ushtarake NATO dhe Bashkimit Evropian. Megjithatë, tha ajo, duhet kaluar nëpër disa procese deri te këto arritje.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti shprehi shpresën e tij që me 13 maj të arrihet një marrëveshje përfundimtare për targat, energjinë e papaguar të veriut, por edhe për përshpejtimin e procedurave për zbardhjen e fatit të të pagjeturve të luftës.

“Më 13 maj, unë shpresoj që përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet për zgjidhje reciproke për targat, edhe për çështjen e mospagesës së energjisë në veri të Kosovës, e po ashtu edhe për nevojën për të përshpejtuar çështjen e zbardhjes së fatit të të pagjeturave, të të zhdukurve me dhunë”, theksoi Kurti.

LEXO EDHE:

Back to top button