Miratimi i aplikimeve të komunave për projekte infrastrukturore – Në  vend të 100 milionë eurove fillimisht do të ndahen vetëm 65 milionë

Miratimi i aplikimeve të komunave për projekte infrastrukturore – Në  vend të 100 milionë eurove fillimisht do të ndahen vetëm 65 milionë

Gazetar: Suad Bajrami

Qeveria ka miratuar vendimin për aplikimet e komunave në thirrjen për financimin e projekteve infrastrukturore me paratë nga kredia hungareze. Komunat, aplikuan me 358 projekte në vlerë prej mbi 200 milionë euro, por Qeveria, ka pranuar 274 prej tyre në vlerë prej 65 milionë euro. Këtij vendimi, nuk iu gëzuan katër njësi të vetëqeverisjes lokale, përkatësisht Qyteti i Shkupit, Strumica, Saraji dhe Tearca. Projektet e këtyre komunave u njoftua se nuk do të financohen pasi, nuk i kanë plotësuar kushtet. Megjithatë, kryeministri Hristijan Mickoski, tha se këtyre komunave do t’u jepet mundësia që t’i korrigjojnë gabimet brenda një afati të arsyeshëm.

“Në seancën e ardhshme qeveritare do të ketë vazhdim të vogël të afatit pasi disa projekte të disa komunave, do t’u nevojitet një pjesë të dokumenteve që mungojnë t’i sigurojnë. Mendoj se afati do të jetë i arsyeshëm, deri me 10-15 nëntor që t’i dorëzojnë ato projekte dhe pasi si formalitet të dorëzohet, pres që edhe ata të kyçen në këtë valë të parë”, deklaroi Hristijan Mickoski.

Sipas Qeverisë, Strumica e cila ka aplikuar me kërkesë që të bashkëfinancohet ndërtimi i tregut të ri në qytet, nuk i fitoi paratë pasi ka aplikuar me projekt i cili tashmë është i tenderuar. Megjithatë, kreu i Strumicës, Kostadin Kostadinov, i cili vjen nga radhët e opozitares LSDM për Alsat thekson se arsyet janë politike.

“Për këtë Qeveri, Strumica nuk ekziston. E turpshme dhe për të ardhur keq është që edhe qytetarët e Strumicës paguajnë tatim me të cilin do të kthehet kredia hungareze. Do të kthejnë kredi nga i cili nuk kanë fituar asnjë denarë edhe pse në mënyrë pompoze është paralajmëruar se të gjitha komunat do të fitojnë para për projekte infrastrukturore. Me këtë vendim qeveritar nuk i bëhet dëm vetëm kryetarit të komunës, por tërë Komunës në të cilën jetojnë persona me orientim të ndryshëm politik. Projekti për të cilin komuna ka kërkuar para ka rëndësi të njëjtë edhe për qytetarët e LSDM-së, VMRO-DPMNE-së, ZNAMIT dhe partitë tjera politike”, tha Kostadin Kostadinov, kryetar i Komunës së Strumicës.

Alsat, kontaktoi dhe kreun e Tearcës, Nuhi Neziri, i cili në një bisedë telefonike tha se po presin arsyetimin zyrtar dhe më pas do të deklarohen. Në lidhje me deklarimin e kryeministrit dhe ministrit të vetëqeverisjes lokale se Tearca është refuzuar pasi aplikimet i ka dorëzuar me email privat, Neziri në mënyrë kategorike mohon. Ai thekson se dokumentet përveç që janë dorëzuar me email zyrtar, janë dorëzuar edhe me postë, në afatin e paraparë në thirrje. Edhe Saraji, i cili për 2 projekte kërkoi mbi 2.4 milionë euro, pret arsyetimin zyrtar të Qeverisë, mbi bazë të të cilit do të vendoset se çfarë hapa të mëtutjeshëm do të ndërmerren. Alsat, tentoi të kontaktojë edhe me Qytetin e Shkupit, i cili gjithashtu nuk ka fituar financim për asnjë projekt, edhe pse kishte aplikuar me 25, për të cilat, kërkonte madje mbi 102 milionë euro. Megjithatë, administrata me të cilën udhëheqë Danella Arsovska, deri në këtë moment nuk ka dërguar përgjigje./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button