​”Miss Freedom of the World”, vajza filipineze që do të lobojë për Kosovën

​”Miss Freedom of the World”, vajza filipineze që do të lobojë për Kosovën

Për herë të 13-të është organizuar konkursi i bukurisë “Miss Freedom of the World”.

Këtë vit, është kurorëzuar filipinezja, Samantha Gabronini, e cila për herë të parë vjen në Kosovë.

Ajo është përfaqësuesja e parë nga vendi i saj në këtë garë, e cila qëllimin kryesor e ka lobimin për Kosovën.

Në këtë konkurs, pjesëmarrëse kanë qenë edhe vajza të shteteve që nuk e kanë njohur ende vendin.

Samantha Gabronino është përfaqësuesja e parë nga Filipinet në “Miss Freedom of the World”.

“Tani jam Miss Freedom of the World, Grand Prix, ndaj është nderi im të jem pjesë e këtij konkursi të mahnitshëm bukurie, ku ne mund të arrijmë të shfaqim veten. Dhe për mua, është më e rëndësishme sepse si filipinezja e parë që jam këtu, unë jam ambasadorja e vendit tim dhe po ashtu edhe e Kosovës, duke u bashkuar së bashku, sepse siç thotë konkursi, bëhet fjalë për lirinë. Por për mua, liria është më shumë e ankoruar në filozofinë e të kuptuarit dhe të çlirimit nga diskriminimi dhe stereotipat. Kjo është arsyeja pse unë jam e lumtur që jam këtu dhe Kosova me të vërtetë më priti në një mënyrë të mirë, njerëzit janë shumë të mirë, ne ndihemi shumë të sigurt dhe jam e sigurt se edhe shumë filipinasë ndjejnë të njëjtën gjë, sepse ne kemi një komunitet të fortë këtu me filipinasë, ne kemi rreth 70 deri në 80 filipinasë këtu”, tregon ajo.

Me veshje tradicionale të vendit prej nga vjen e me shirit të Filipineve në krahëror, Samantha thotë se ndjehet krenare të jetë urë lidhëse mes dy vendeve tona.

“Erdha këtu rreth datës 5 qershor, kështu që jam këtu për gati tre javë dhe gjatë këtij konkursi shkuam në vende të ndryshme. Kam takuar vajza të mrekullueshme nga vende të ndryshme me të cilat jemi si motra, ne mund të mësojmë për kultura të ndryshme dhe me të vërtetë mendoj se kjo është kaq e mahnitshme. Por ne gjithashtu shfaqëm fustanet tona, kostumet tona kombëtare, talentin tonë, dhe jam shumë krenare që mora çmimin Miss Talent Show, sepse filipinasit e duan shumë këndimin dhe kërcimin, kështu që e shfaqa atë dhe kostumin tim kombëtar, solla një kostum kombëtar vërtet të madh për të shfaqur kulturën shumëngjyrëshe dhe të gjallë në Filipine, dhe ashtu si shumë vajza të tjera, edhe ato e bënë këtë, kështu që unë gjithashtu do di më shumë për kulturat e tyre. Pra, është një shkëmbim kulturor duke shfaqur edhe bukurinë tuaj, por bukurinë që nuk përfundon vetëm me sipërfaqen, por edhe bukurinë që vjen nga brenda, sepse në këtë konkurs ne vërtet njohim njëra-tjetrën dhe çfarë është e bukur brenda tyre. Kështu që unë mendoj se është një gjë e bukur për ne femrat që të njihemi në këtë mënyrë”, shton ajo.

Në ditën kur ajo mbushi 25 vjet, u kororëzua edhe si Miss Freedom of the World- Grand Prix. Ky konkurs i bukurisë u mbajt më 16 qershor, ku Gabronini thotë se ndjehet e nderuar nga pritja që i ështe bërë.

Misioni i saj është organizimi i takimeve mes institucioneve të Kosovës dhe Filipineve.

“Po, sigurisht që fitimi i kurorës ka kaq shumë përgjegjësi tani. Unë po shkoj në media të ndryshme duke folur për përvojën time, por edhe kur të shkoj në shtëpi, në Filipine, ata tashmë kanë përgatitur një paradë për mua. Ne do të kemi një paradë të mirëseardhjes në shtëpi. Por nuk do ta harroj kurrë përgjegjësinë që kur të kthehem do të organizoj takime me qeverinë tonë dhe kështu jam shumë e emocionuar të mirëpres qeverinë e Kosovës që vjen shumë shpejt në Filipine. Dhe unë do të vazhdoj përkrahjen time, sepse para konkursit, po përpiqesha të ndihmoj në ndërtimin e shkollave dhe klasave në Filipine sepse besoj se arsimi është një gjë shumë e rëndësishme në jetën e çdokujt, është e drejta jonë të kemi arsim, kështu që do të vazhdoj me këtë dhe shpresoj përmes lidhjeve që po ndërtoj në këtë rrugëtim, qofshin me kandidatë, me organizatorë, me qeverinë e Kosovës dhe atë të Filipineve, ne të gjithë mund të krijojmë këtë komunitet të mrekullueshëm që ndihmon njëri-tjetrin të ndërtojmë një botë më të mirë në të ardhmen”, shprehet filipinezja.

Ani pse për herë të parë ndodhet në Kosovë, ajo e njeh mirë historinë. Samantha Gabronini, thotë se i pëlqen shumë Prizreni dhe kombinimi i historisë dhe qytetit të bukur.

“Unë kam lexuar shumë për Kosovën dhe mendoj se historia juaj ka shumë për të thënë se ku jeni tani, dhe çfarëdo që keni pasur në të kaluarën është e gjitha në të kaluarën sepse tani e shoh Kosovën si një vend shumë të fortë. Kanë kaluar vetëm pak vite nga Çlirimi juaj, por unë shoh shumë zhvillim tashmë. Pra, Kosova, mendoj se ka një potencial të madh për zhvillim në biznes, turizëm dhe hoteleri. Por unë mendoj se kjo është edhe për shkak të njerëzve tuaj, ju keni njerëz të fortë dhe këtë dua t’ia them botës, jo vetëm kur të kthehem, por çdoherë, kur shkojmë nëpër botë”, përfundon ajo.

Organizatori i “Miss Freedom of the World”, Shpejtim Zeneli thotë se qëllimi i këtij konkursi të bukurisë është që vajzat të cilat marrin pjesë, të lobojnë për njohjen e Kosovës.

“Qëllimi i garës është promovimi i vlerave të kulturës të trashëgimisë së Kosovës, gjithashtu është një lobim për njohjen e Kosovës nga shtetet që nuk e kanë njohur. Këtë vit ishte edhe Spanja, kemi pasur edhe shumë shtete tjera, por qëllimi ishte që sa më shumë Kosova të lobohet në arenën ndërkombëtare. Vajzat kanë qenë nëpër Kosovë, në Prizren, në Prishtinë, në Brezovicë i kemi dërguar që të promovohet turizmi malor sepse na duhet që Kosova ta ketë një promovim sa më të mbarë të turizimit”, tregon ai.

Ai shton se vajza e cila këtë vit u kurorëzua me çmimin “Miss Freedom of the World”, ka qenë shumë e përgatitur.

“Në këtë konkurs kanë marrë pjesë 25 shtete, ku ndër to çdo ditë kanë pasur aktivitete ‘Miss kostumi popullor, missbikini, miss talenti’, ku vajza e Filipineve ka qenë shumë e përgatitur, ka ardhur me shtatë valixhe, gjithashtu kjo ka qenë shumë e përkrahur nga komuniteti filipinez këtu në aeroport. Unë isha i befasuar duke e pritur ku në mënyrë të organizuar janë bashkuar gjithë ata ta presin në mënyrë të organizuar….Është viti i 13-të që mbahet. Ky konkurs mbahet mend me ‘skandalin’ kur Miss Serbia bëri shqiponjën dhe aty u bë më i njohur ai veprim sepse duhet të lobosh edhe nëpër botë”, shton ai.

Nata finale e konkursit të bukurisë “Miss Freedom of the World”, u mbajt më 16 qershor, ku pjesëmarrëse ishin mbi 25 vajza nga vende të ndryshme të botës. /KP/

LEXO EDHE:

Back to top button