Morawiecki: Putin kërkon përçarjen e Evropës
Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki ka paralajmëruar se Vladimir Putin dëshiron të ndajë Evropën pasi kjo është mënyra e vetme që ai të arrijë qëllimet e tij.
Gjatë një interviste për të përditshmen italiane ‘La Repubblica’ , Morawiecki duke iu referua kërcënimit të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës tha se Putin “ka kohë që përdor politikën ‘përçaj dhe sundo”.
Vendet perëndimore kanë thënë se Rusia ka shtuar grumbullimet e trupave në kufirin e saj me Ukrainën për tu përgatitur për një pushtim të mundshëm në fillim të vitit të ardhshëm.
“Ai kërkon të ndajë Evropën pasi është e vetmja mënyrë për të arritur qëllimet e tij”, tha kryeministri.
“Qëllimi i tij themelor është të rindërtojë forcën perandorake të Rusisë në kurriz të fqinjëve të tij”, tha ai, duke shtuar se Ukraina ishte e para në vijën e zjarrit.
Sipas Morawieckit, kërcënimi i konfliktit të armatosur në kufirin lindor të BE-së nuk ka qenë kurrë kaq i lartë gjatë 30 viteve të fundit sa është tani.
Kryeministri polak tha se, Putin ka verifikuar sesa larg mund të shkonte me veprimet, dhe këtë e kishte bërë përmes përdorimit të forcës brutale në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe ekonominë.
“Ai e di se fuqia e tij varet nga çmimet e gazit. Dhe ai ka bërë gjithçka për ta bërë Evropën të varur nga furnizimet e tij”, tha Morawiecki.
Duke iu referuar veprimeve të Rusisë në Abkhazi, Osetinë e Jugut, Transnistria, Donbass dhe Krime, Morawiecki tha se,” duke i përdorur ato si një mjet dhe një armë në strategjinë e tij, Putin ka shkelur brutalisht integritetin territorial të shteteve dhe ka ngrirë konfliktet”.








