Mosmarrëveshjet Shkup-Sofje, Zaev do të zhvillojë bisedë telefonike me Merkelin

Qeveria është e prerë se nuk ka nevojë për marrëveshje të re apo aneks ndaj marrëveshjes së 2017-tës për kontestin me Bullgarinë. Pas takimit të krye-diplomatëve të të dyja vendeve me ndërmjetësim të homologëve gjerman, sot pritet të zhvillohet bisedë telefonike mes Zaevit dhe kancelares gjermane Merkel.

Paralelisht në rrjedhë janë kontaktet mes ministrave të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Në këtë moment vlerësojmë se në interes të procesit është të mos jepen detaje. Këto kontakte çojnë në mirëkuptim të ndërsjellë dhe një takim i ri në afrim të pozicioneve”-pohoi Dushko Arsovski, Zëdhënës i Qeverisë.

Më herët bisedë telefonike zhvilluan edhe presidentët e të dyja vendeve Rumen Radev dhe Stevo Pendarovski. Megjithëse nuk u zbardhën shumë detaje nga kjo bisedë, në komunikatën për media theksohej se presidentët biseduam për mundësinë e arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme për rrugën evropiane të vendit. Por Radev një ditë më parë i shpalosi hapur qëndrimet e tij. Ai tha se dallimet mes Shkupit dhe Sofjes duhet të zgjidhen përmes një marrëveshjeje të re e cila do të jetë ligjërisht e detyrueshme. Radev gjithashtu tha se çelja e negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së duhet të shtyhet.

 

Pres që qeveria bullgare të përpiqet që në kapitullin e 35 të kornizës negociuese për Republikën e Maqedonisë së Veriut ta përfshijë Pozicionin Kornizë Kombëtar të miratuar nga Asambleja Kombëtare një vit më parë. Megjithatë, një gjë e tillë siç duket tashmë nuk do të ndodh, prandaj ka një rrugëdalje- shtyrja e negociatave deri në arritjen e një marrëveshjeje bilaterale të detyrueshme mes Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për zgjidhjen e të gjitha çështjeve bilaterale”-tha Rumen Radev, President i Bullgarisë.

Jozyrtarisht, kushtet e Sofjes për fillim të negociatave nuk janë pjesë e propozim kornizës negociuese, që Gjermania e dorëzoi për miratim para ambasadorëve të shteteve anëtare. Gjithashtu se mosmarrëveshjet rreth identitetit dhe historisë, dy palët do të duhet t’i zgjidhin përmes një marrëveshjeje të re dypalëshe apo deklarate. Më 10 nëntor shefat e diplomacive të BE-së duhet të miratojnë vendimin për çeljen ose jo të negociatave me Maqedoninë.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button