Gazetare: Fatlume Dervishi
Gjithsej 632 shtetas kanë kërkuar informacion mbi evakuimin nga rajonet e prekura nga luftimet në Lindjen e Mesme. Nga këta, 136 persona janë raportuar në Doha, ndërsa numri në Abu Dhabi është vazhdimisht në rritje. Aktualisht është rreth 477 persona. Ambasada atje është në proces të finalizimit të çështjeve teknike për organizimin e fluturimeve çarter. Nga Ministria e Jashtme thonë se qëllimi është, në koordinim me autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, të sigurojë disa fluturime çarter për evakuimin e personave të regjistruar. Janë ndarë 60 milionë denarë nga buxheti i ministrisë, për këto fluturime të posaçme, për të cilat qeveria shpall tender sipas procedurës së përshpejtuar të paraparë për raste të këtilla.
Në varësi të numrit përfundimtar të qytetarëve të regjistruar maqedonas dhe numrit të fluturimeve çarter që do të realizohen, është e mundur që të përdoret vetëm një pjesë e shumës së planifikuar.
Lidhur me shtetasit maqedonas në Izrael, numri mbetet i pandryshuar. Për gjashtë prej tyre evakuimi ka përfunduar dhe ata janë nisur drejt Shkupit me shpenzimet e tyre me fluturime komerciale. Gjashtë personat e mbetur, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për evakuim, do të transportohen me rrugë tokësore nga Izraeli në Egjipt gjatë ditës. Ata pritet që nesër të fluturojnë të sigurt për në Shkup me aeroplan qeveritar.
Në të njëjtën kohë, ambasadat po bëjnë edhe një plan të veçantë për evakuimin e qytetarëve në Bahrein dhe Kuvajt. /Alsat.mk








