Mungesa e perspektivës largon të rinjtë nga vendi dhe rajoni

Mungesa e perspektivës largon të rinjtë nga vendi dhe rajoni

Gazetar: Mefail Ismaili

Mungesa e perspektivës dhe çështjet financiare janë dy prej arsyeve kryesore përse të rinjtë dhe truri po largohet nga Ballkani Perëndimor. Kështu u konstatua në konferencën shkencore me titull “Rikthimi i aspektit intelektual nga diaspora” që organizohet nga “Rrjeti i grave në Shkencë”. Kryetarja e këtij rrjeti, Drita Mehmedi tha se ky fenomen është në rritje, çdo ditë e më shumë, edhe në vendin tonë.

“Zakonisht në këtë aspekt shfaqet perspektiva, shumë pak qytetarët e gjejnë perspektivën në vendin në të cilin ata jetojnë, pastaj mënyra kur marrin një iniciativë për të studiuar, magjistruar ose doktoruar jashtë vendit, sjell andej perspektivë tjetër në vendin ku ata kanë studiuar dhe pastaj bëhet më e vështirë që ata të rikthehen përsëri dhe të kontribuojnë në aspektin intelektual në vendin e tyre… E konfirmojnë edhe vetë punimet tona që janë paraqitur nëpërmjet abstrakteve, shumica e temave janë të trajtuara për aspektin e mjekëve të cilët e lëshojnë vendin, ndoshta mund të jetë edhe aspekti financiar që andej kanë rroga më të larta dhe këndej nuk i kanë kushtet e njëjta”, tha Drita Mehmedi, “Rrjeti I Grave në Shkencë”.

Përfaqësuesi i Fondit të Ballkanit Perëndimor tha se fenomeni i largimit është theksuar më së shumti gjatë dekadës së fundit.

“Me liberalizimin e vizave të Evropës, për vendet e Ballkanit Perëndimorë në dekadën e fundit, të rinjtë, studentët dhe profesionistët sfidohen që të kërkojnë për kualifikime më të avancuara në tregun evropian”, Ilir Umeri “Western Balkans Fund”.

Gjetjet e deritanishme thonë se në Maqedoninë e Veriut deri në vitet e nëntëdhjeta më së shumti kanë migruar meshkujt, ndërsa me trendet e reja ky fenomen ka ndryshuar dhe tani një numër i madh i femrave sot e lënë vendin e tyre, në kërkim të një jete më të mirë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button