Murtezani: Hekurudha drejt Bullgarisë do të ndërtohet

Murtezani: Hekurudha drejt Bullgarisë do të ndërtohet

Ministri për çështje evropiane Orhan Murtezani deklaroi se hekurudha në kuadër të Korridorit 8 që çon për në Bullgari duhet të ndërtohet për shkak se në të kundërt, humben mjetet që vendi ka siguruar deri më tani. Sipas tij, edhe kryetarja e KE-së gjatë vizitës së një dite më parë në Shkup i ka kushtuar më shumë kohë dhe rëndësi kësaj teme. Më herët, kryeministri Mickoski disa herë kishte deklaruar se nuk do të ndërtohet hekurudhë që përfundon pa dalje, shkruan Alsat.

“Prolongimi i projektit ose ndryshimi i trasesë nuk do ta bëjë projektin më të lirë për arsye se ne në kornizën financuese kemi një grant në vlerë prej 235 milion euro nga mjete të pakthyeshme. Në qoftë se ne i humbim afatet ose e ndërrojmë trasenë, çfarëdo ndryshimi që të kemi, nga humbja e këtyre mjeteve, çmimi do të jetë shumë më i lartë. Plus asaj në qoftë se në një periudhë prej 5-6 muajve nëse nuk e ritenderojmë ose nuk përzgjedhim ndërtues të seksionit të tretë do të humbim mjete prej 30 milion euro të cilat janë nga fondet IPA 2”, deklaroi Orhan Murtezani, ministër për Çështje Evropiane.

Ekziston ky rrezik sepse kryeministri thotë se nuk do të ndërtojmë një hekurudhë që përfundon në një rrugë qorre ose pa dalje në Bullgari?

“Duhet të jeni të informuar se javën e kaluar ka pasur një takim ndërmjet dy ministrive të transportit. Takimi i dytë do të jetë në fund të këtij muaji më 31 tetor. Pala bullgare e merr këtë çështje shumë seriozisht dhe ka treguar përkushtim dhe vullnet për ta realizuar. Normalisht tek ata fazat planifikimit do të jenë pak më të ngadalshme por në qoftë se ne shohim shenja nga fqinji ynë Bullgaria se do ta ndërtojnë Korridorin atëherë nuk kemi pengesa për të vazhduar tutje”, tha Murtezani. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button