Mustafa i ashpër ndaj Vetëvendosjes: Rrezikoi raportet me SHBA-të

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar ashpër lidhur me studimin e disa autorëve europianë, të cilët trajtuan çështjen e rrëzimit të Qeverisë Kurti, pjesë e së cilës ishte dhe subjekti që ai drejton.

Mustafa shprehet se LDK-ja i dha mundësi Vetëvendosjes për të punuar bashkërisht për të mirën e Kosovës, por ajo lëre që e keqpërdori këtë bashkëpunim, por edhe nisi të rrezikonte partneritetin e Kosovës me aleatët strategjikë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njofton Klan Kosova.

”E vërteta e bashkëqeverisjes mes LDK-së dhe Vetëvendosjes është e qartë dhe e pastër.

LDK-ja i dha shans Vetëvendosjes për të punuar bashkërisht për të mirën e Kosovës.

Vetëvendosje, përveç që tentoi ta keqpërdorte partneritetin dhe kontruktivitetin e LDK-së, duke u kthyer në shtratin e saj ideologjik dhe gjenezën izolacioniste, filloi ta rrezikonte partneritetin e Kosovës me aleatët e saj kryesorë, para se gjithash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

LDK-ja nuk mund të duronte nëpërkëmbjen e saj nga një parti tjetër dhe taman puna të rrinte duke e soditur Vetëvendosjen teksa po shkarkonte ministra të LDK-së duke e shkelur marrëveshjen dhe po rrezikonte partneritetin e Kosovës me SHBA-të !

Prandaj, LDK-ja reagoi. Dhe do të reagoj ndaj kujtdo në Kosovë që e quan veten aq të rëndësishëm e të fortë sa të shpërfillë thirrjet telefonike nga Shtëpia e Bardhë e Departamenti Amerikan i Shtetit.

Që organizon fushata denigruese ndaj zyrtarëve amerikanë dhe Shtëpinë e Bardhë e portretizon si një vend ku copëtohet Kosova.

LDK-ja, si partia e parë politike në Kosovë dhe si trasuesja e orientimit pro-perëndimor të Kosovës, e ka obligim të kujdeset për të mos lejuar asnjëherë tendencat për shmangie nga ky orientim.

Sepse, partneriteti me SHBA-të dhe demokracinë perëndimore, është orientim natyror dhe sepse është rruga e vetme për Kosovën.

Autorët e “studimit”, shpresoj shumë se do të ballafaqohen me mbështetësit e Kosovës në Parlamentin Evropian dhe “studimi” i tyre do të përfundoj si një përpjekje e dëshpëruar për manipulimin e së vërtetës. I.M”.

 

LEXO EDHE:

Back to top button