Natalie Portman tregon sakrificat ekstreme për “Black Swan”
Natalie Portman tregon sakrificat ekstreme për “Black Swan”
Natalie Portman ka zbuluar se përkushtimi i saj i jashtëzakonshëm për rolin në filmin “Black Swan” i kushtoi jo vetëm emocionalisht, por edhe fizikisht.
Aktorja 44-vjeçare, e ftuar në episodin e së mërkurës të emisionit “The Drew Barrymore Show”, rrëfeu se gjatë xhirimeve të trillerit psikologjik të vitit 2010 pësoi një dëmtim serioz trupor.
“Më kishte dalë një brinjë ose diçka e tillë. Sikur kishte hyrë poshtë. Ndodhi sepse më ngrinin vazhdimisht. Ishte vërtet e çmendur,” – tregoi Portman.
Filmi i regjisorit Darren Aronofsky kërkonte një kombinim ekstrem të aktrimit emocional me baletin profesionist, çka e detyroi aktoren t’i nënshtrohej një regjimi të rreptë stërvitor.
Trajnerja e saj, ish-balerina e New York City Ballet, Mary Helen Bower, shpjegoi se përgatitja ishte po aq e rëndë sa ajo e një balerine të vërtetë.
“Nëse do të luash një balerinë, duhet të stërvitesh si e tillë,” tha ajo.
Sipas Bower, stërvitjet nisnin çdo ditë në orën 5 ose 5:30 të mëngjesit, me dy deri në tre orë balet, të ndjekura nga 12 orë xhirime, më pas ushtrime tonifikuese në mbrëmje dhe not. Ky ritëm u përsërit gjashtë ditë në javë për muaj të tërë.
Në film, Portman interpreton Ninën, një balerinë kryesore emocionalisht të brishtë, e cila përfshihet në një rivalitet shkatërrues me personazhin e luajtur nga Mila Kunis, rivalitet që çon në shpërbërjen e saj psikologjike.
“Black Swan” u nominua për pesë çmime Oscar në vitin 2011, përfshirë Filmin më të Mirë dhe Regjinë më të Mirë, ndërsa Natalie Portman fitoi Oscar-in për Aktoren më të Mirë, duke e bërë këtë rol një nga më ikoniket e karrierës së saj.
Gjatë shënimit të 15-vjetorit të filmit, vetë Aronofsky pranoi se kishte tentuar të krijonte tension mes dy aktoreve gjatë xhirimeve.
“Po përpiqesha të isha një regjisor dinak dhe t’i nxisja të ziheshin,” tha ai.
“Por ato e kuptuan shumë shpejt dhe filluan të më tallnin.”
Rrëfimi i Portman hedh dritë mbi sakrificat ekstreme që shpesh fshihen pas roleve të mëdha kinematografike dhe çmimin real që aktorët paguajnë për artin








