“Ndërkombëtarët mos të mbyllin sytë para nxitjeve nga regjimi autokrat në Serbi”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe ajo e Regjistrimit Civil në Zveçan, nuk ishin aksidentale, por e qëllimshme. Kurti ka akuzuar Serbinë se me veprime të tilla, po provokon konflikt serioz ndërkombëtar.

“Serbia e cila as nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e as që nuk i pranon krimet që i ka bërë në të kaluarën, nuk ballafaqohet me të kaluarën dhe vazhdon të mohoj gjenocidin që ka kryer në vendin tonë, ndaj popullit tonë, është pikërisht ajo që po përdor qytetarët tonë për qëllime aspak paqësore, e kësisoj po dëshiron të provokoj një konflikt”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Kurti gjatë qëndrimit në Shkup në një konferencë ndërkombëtare kushtuar ndryshimeve klimatike tha se Serbia po përdor individ dhe grupe kriminal për të nxitur tensione. Ai kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare të mos mbyllë sytë para nxitjeve të rrezikshme të Serbisë.

“Është për të ardhur keq që grupe të ndryshme kriminale në veri të Ibrit, por gjithnjë të nxitura dhe të mbështetura nga Serbia, vazhdojnë ta kundërshtojnë sundimin e ligjit, rendin dhe sigurinë publike duke sulmuar institucionet shtetërore të Kosovës…. Bashkësia Ndërkombëtare, faktori ndërkombëtare nuk do të duhej të mos mbyllin sytë, para nxitjeve që bën regjimi autokrat në Serbi ndaj qytetarët të Kosovës që të kundërshtojnë shtetin tonë”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Kryeministri Kurti ka thënë se policia dhe institucionet e Kosovës, në asnjë moment nuk kanë provokuar situatën, por janë të vendosura të mbrojnë rendin dhe ligjin, si dhe zbatimin e vendimit për targat e Serbisë. Sipas Kurtit, zgjidhja e problemit qëndron pikërisht në sundimin e ligjit dhe të demokracisë ndërsa theksoi se “asnjë individ apo grup kriminal nuk mund të jetë më i fuqishëm se sa shteti”.

Ai tha se forcat speciale në veri janë dërguar për mbrojtur pikat kufitare dhe policët kufitar pasi eksperienca e kaluar dëshmon sipas tij se buldozerët janë vendosur për të sulmuar pikat kufitare, ngjashëm sikur në vitin 2008, dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

ALSAT

LEXO EDHE:

Back to top button