Shkupi dhe Sofja, në komunikim pa zgjidhje

As vizita e ardhshme e shefes së Komisionit Evropian Ursula Fon Der Lajen, më 28 shtator, nuk pritet ta zgjidhë ngecjen në avancimin e negociatave mes Shkupit dhe Sofjes. Der Lajen do të qëndrojë në vendet e rajonit në kuadër të turit të saj ballkanik. Institucionet evropiane kanë konfirmuar se do të diskutohet edhe për kontestin mes dy vendeve. Shkupi dhe Sofja deklarojnë se mbeten në komunikim në nivel të ministrive të Jashtme dhe të komisioneve të përbashkëta historike, megjithatë nuk ka lëvizje në qëndrimet e tyre.

Do të ketë takime të tilla në periudhën e ardhshme. Do të ketë me ne dhe me Republikën e Bullgarisë. Ne do të vazhdojmë të punojmë për gjetjen e një zgjidhjeje. Vlerësojmë se është e rëndësishme që çështja të mbyllet sa më shpejt. Mbetet propozimi i presidencës i cili akoma është bazë për tejkalimin e dallimeve përskaj negociatave bilaterale që i zhvillojmë të dy palët”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm (21.09.2021) .

Në Sofje gjatë javës që lëmë pas qëndroi komisioneri për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelji. BE-së i ishte kërkuar nga krerët e shtetit bullgar të ushtrojë presion mbi Maqedoninë e Veriut që të zbatojë detyrimet e saj nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë e vitit 2017. Nga kabineti i eurokomisinerit për Alsat nuk konfirmojnë se cila ka qenë përgjigja e BE-së ndaj kësaj kërkese të palës bullgare.

Ne shpresojmë për mbledhjen e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sa më shpejt që është e mundur. Të dy vendet i kanë plotësuar kushtet dhe meritojnë të ecin përpara”, theksojnë nga Kabineti i komisionerit për zgjerim Oliver Varhelji.

Presionin ndaj Bullgarisë e ka intensifikuar edhe SHBA-ja përmes të dërguari të ri të saj për Ballkanin Perëndimor Gabriell Eskobar. Pavarësisht presioneve, ekspertët nuk kanë shpresa për ndryshim të pozitave para samiteve të BE-së në fund të vitit.

Na është bërë e qartë edhe nga Bashkimi Evropian, për deri sa negociatat me Bullgarinë kanë ngecur nuk mund të presim që të avancojmë në rrugën e proceseve negociuese. Unë mendoj se ne mund të dëgjojmë në kohën që vjen vetëm përsëritje të premtimeve dhe të konstatimeve të mëhershme se Republika e Maqedonisë së Veriut ka bërë gjithçka që është e mundur për hapjen e negociatave aderuese. Në anën tjetër, kjo d.m.th. se ne duhet të vazhdojmë me reformat, që është edhe më e rëndësishme në procesin e negociatave me BE-në”, tha Ardita Imeri nga Instituti për Politikë Evropiane.

Bullgaria kërkon nga Maqedonia me notë diplomatike të pranojë se nuk ka pretendime territoriale dhe pretendime ndaj pakicave në anën tjetër të kufirit, të heqë gjuhën e urrejtjes ndaj popullit bullgarë, të përdorë shprehjen “okupatorët fashistë” në vend të termit “okupatorët fashistë bullgarë” në libra dhe tek përmendoret, etj.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button