Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi” në Strugë në kolaps financiar
Gazetar: Miki Trajkovski
Ujësjellësi i Strugës është në kolaps financiar. Borxhi i përgjithshëm është rreth 5 milionë euro, mëson Alsat. Vetëm ndaj EVN-së, për fatura të papaguara të energjisë elektrike për disa vite, kanë borxh 3.5 milionë euro, gjë që e vë në rrezik edhe furnizimin normal me ujë të qytetit. Në çdo moment ekziston rreziku që edhe stacionet e pompimit të mbeten pa energji elektrike. Për shkak të paralajmërimit se ndërmarrja do të mbetet pa rrymë, ata kanë paraqitur në Gjykatë kërkesë për masë të përkohshme për ndalimin e ndërprerjes, ndërsa kanë arritur të shlyejnë vetëm një këst të borxhit.
“Të gjithë ujin e pompojmë me pompa të mëdha që të arrijë në të gjitha pjesët e qytetit. Në të kaluarën ishte instaluar një central fotovoltaik për nevojat e ndërmarrjes publike, me qëllim që të ulen faturat, por dikush e ka vjedhur centralin. Kam kërkuar nga Prokuroria Publike përgjigje se deri ku është ajo procedurë. Procedura është hapur në vitin 2022 dhe kemi marrë përgjigje se ende po punohet në rastin dhe nuk ka asnjë indikacion se kush është përgjegjës për vjedhjen”, deklaroi Jovanço Meçkarovski– drejtor i Ujësjellësit dhe Kanalizimit Strugë.
Drejtori i Ndërmarrjes Jovanço Meçkarovski thotë se, sipas analizave fillestare, janë shpenzuar shuma të mëdha parash për gjëra të panevojshme.
“Janë shpenzuar shuma të mëdha, në disa vite edhe deri në 20.000 euro për reprezentacione, çdo vit veçmas. Për pjesë rezervë janë shpenzuar shuma të mëdha për automjete, të cilat as nuk janë funksionale dhe janë turp për ndërmarrjen tonë. Do të shpallet tender për kontroll sistematik, i cili nuk është kryer prej vitesh. Nuk kanë mjete bazë për punë, nuk kanë çizme dhe asnjë lloj pajisjeje. Të gjitha këto jemi në fazë të zgjidhjes. Nëse ju them se ndaj furnizuesve nuk është paguar asgjë, nuk do ta besoni. Janë paguar vetëm gjëra për pjesë rezervë, ku kemi dyshime se diçka ka ndodhur”, theksoi Jovanço Meçkarovski – drejtor i Ujësjellësit dhe Kanalizimit Strugë.
Tre ekskavatorë i kanë gjetur në gjendje jofunksionale, ndërsa pas 8 vitesh, punëtorët që kanë punuar në kushte të vështira për herë të parë i kanë marrë vaksinat e nevojshme. Në ndërmarrje së fundmi ka hyrë sektori për krimi ekonomik të policisë, ndërsa pritet edhe Enti Shtetëror i Revizionit. Drejtori pret që të parashtrohen edhe kallëzime përkatëse penale./ Alsat.mk.








