Ndryshimet në kabinetin qeveritar pritet të ndodhin në maj-qershor

Gazetare: Ajnur Bafqari

Bisedimet për ndryshimet në kabinetin qeveritar do të zhvillohen në muajin maj apo qershor. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se aktualisht VMRO-DPMNE dhe VLEN, po zhvillojnë konsolidim të brendshëm. Ky proces sipas tij pritet të përfundojë në prill, gjë që do t’i hap rrugën procesit të bisedimeve për rikonstruim.

“Në maj apo qershor do të jetë. Deri atëherë edhe ne si parti politike kemi konsolidim të brendshëm edhe koalicioni VLEN, që sipas informatave të fundit do të shndërrohet në një parti politike. Edhe atje ka konsolidim të brendshëm, kështu që mendoj se që në muajin prill do të përfundojë ky konsolidim i brendshëm dhe veçmë në maj qershor do të fillojnë këto bisedime lidhur me kabinetin e ri qeveritar dhe institucionet e tjera,” deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Mickoski sërish nuk shpalosi emra, se kush mund të përfshihet në këtë proces, edhe pse në opinion tashmë po përfliten shumë emra. Më i përfoluri ka qenë ministri i Drejtësisë Igor Fillkov, për shkak pakënaqësisë me reformat në gjyqësor. Ai u bë temë debati edhe për rezistencën e tij për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Lëvizje janë përfolur edhe në dikastere të tjera. Rikonstruimi pritet të vendos edhe për fatin e Fatmir Limanit dhe Arben Fetait. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button