Në çfarë moshe duhet të shkojnë fëmijët në çerdhe?
Në çfarë moshe duhet të shkojnë fëmijët në çerdhe?

Gazetare: Ilmie Zhaku
Çerdhja është një hap I rëndësishëm në zhvillimin e fëmijëve, por kur është mosha e duhur për të filluar? Sipas psikologes Edlira Destani, që ishte e ftuar në emisionin Ditë e Re në Alsat, mosha ideale për të nisur çerdhen është minimumi 13 muaj dhe maksimumi 18 muaj.
“Ky është mendimi im duke u bazuar te të gjitha teoritë e zhvillimit të fëmijëve. Psikologët që I kanë vendosur këto teori kanë parë se kjo është periudha kur fëmija ka nevojë për bashkëmoshatarët, për një ambient të strukturuar dhe edukativ. Sado që të kemi shtëpi të mëdha ose shumë fëmijë në familje, nuk mund të zëvendësojnë përvojën që merr në një çerdhe apo kopsht, tha Edlira Destani, psikologe.
Ajo shtoi se çerdhet janë të organizuara në mënyrë që aktivitetet dhe lojërat të jenë të programuara dhe të orientuara drejt zhvillimit edukativ të fëmijës.
Destani theksoi edhe rëndësinë e kohës që fëmija kalon me prindërit në vitet e para. Sipas saj, në muajt e parë të përshtatjes, fëmijët nuk duhet të qëndrojnë në çerdhe për 8 orë të plota. “Është mirë që fëmija të kalojë më shumë kohë me prindërit dhe më pak në çerdhe. Në periudhën adaptive mund të jetë një orë ose një orë e gjysmë. Deri në 6 muajt e parë të ndjekjes së çerdhes, nuk është e këshillueshme që fëmija të qëndrojë 8 orë, por më pas mund të përshtatet me një orar të plotë,” u shpreh Destani në emisionin Ditë e Re.
Ky diskutim ngre një çështje të rëndësishme për prindërit që po planifikojnë të dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe, duke u bazuar në nevojat zhvillimore dhe mirëqenien e tyre emocionale. /Alsat.mk