Në lagjen Bardhi të Bllacës do të ndërtohet “shkollë-barakë”

Shkolla e shumë premtuar në lagjen Bardhi të fshatit Bllacë do të jetë shkollë mobile. Sipas dokumentit që ka siguruar Alsat, respektivisht lejes së ndërtimit të miratuar për Komunën Çuçer Sandevë një ditë më parë, thuhet se bëhet fjalë për objekt të kategorisë së dytë, për shkollë mobile me vetëm tre klasë. Në lejen për ndërtim thuhet se investitori mund t’i filloj punimet ndëtimore pasi kjo lejë ndërtimi do të bëhet e plotfuqishme në procedurën administrative. Gjithashtu, thuhet se kjo leje ndërtimi do të bëhet e pavlefshme në rast se investitori nuk fillon me ndërtim në afat prej dy vjetësh nga hyrja në fuqi e lejes për ndërtim.

Por, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës duke iu përgjigjur pyetjeve të Alsat shumë shkurt thanë se investitori është dikasteri i Arsimit i cili tashmë ka shpallur prokurimin publik për ndërtimin e këtij objekti. Për momentin është e paqartë se si do të zhvillohet bashkëpunimi eventual mes dy institucioneve për ndërtimin e shkollës mobile.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës sot shpalli prokurimin publik për ndërtimin dhe mbikëqyrjen mbi ndërtimin e një objekti të ri shkollor në kuadër të shkollës fillore “Aleksandar Urdarevski” në fshatin Bllacë e Poshtme, komuna Çuçer Sandevë. Pas zgjedhjes së ofertuesit më të favorshëm i cili do të plotësojë kushtet e tenderit, aktivitetet e ndërtimit do të fillojnë në vendin e planifikuar” thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Deri më sot, janë dhënë qindra premtime për ndërtimin e një shkolle fillore në lagjen Bardhi. Madje, ky premtim ka qenë pjesë e çdo fushate zgjedhore të partive politike.  Kujtojmë se në dhjetor të vitit të kaluar, nga Ministria e Arsimit kishin deklaruar se gjatë vitit 2020, dy herë kishte dështuar furnizimi publik për zgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm për realizimin e projektit për ndërtimin e objektit shkollor. Fëmijët e lagjes Bardhi të fshatit Bllacë janë të vetmit që përveç librave dhe fletoreve, mbajnë edhe pasaportën e udhëtimit në çantën e shkollës. Kjo për shkak se arsimohen jashtë shtetit ku kanë lindur. Në vendbanimin e tyre nuk ka shkollë fillore më shumë se një dekadë.

 

Melihate Rustemi

LEXO EDHE:

Back to top button