Në tetor pritet të miratohet ligji që vendos filtra për emërimet në pozitat drejtuese

Në tetor pritet të miratohet ligji që vendos filtra për emërimet në pozitat drejtuese

Gazetar: Suad Bajrami

Ligji për Shërbim të Lartë udhëheqës apo i njohur si ligji për Top Menaxhment, i cili parashikon të vendos kritere më të ashpra për zgjedhjen e drejtorëve, pritet që të miratohet në tetor të këtij viti. Qeveria, ka futur në programin qeveritar për vitin 2025, ndërkaq në arsyetimin e saj thuhet se ligji miratohet pasi në legjislativin e vendit nuk ekziston kufizim i qartë mes nivelit politik dhe profesional, gjegjësisht nuk është qartë i definuar dhe përcaktuar fushëveprimi për shërbimin e lartë udhëheqës.

“Me Ligjin për Shërbim të Lartë Udhëheqës, do të vendoset procedurë e njëjtë për emërimin në pozitë udhëheqëse, profesionalizim në pozitat udhëheqëse – të ndarë nga menaxhimi politik, me përgjegjësi politike. Qëllimi kryesor i vendosjes së Shërbimit të Lartë Udhëheqës është avancimi i shërbimeve publike, kontribut më i madh për modernizimin e administratës shtetërore dhe përforcim të qeverisjes së mirë si parim imanent në punën e administratës publike”, njoftojnë nga Qeveria e RMV-së.

Ligji, premtohet thuajse një dekadë, ndërkaq angazhimin për miratimin e tij e ka filluar ish ministria Damjan Mançevski, por nuk pati sukses. Më tej, edhe ministrat Jeton Shaqiri, Admirim Aliti dhe Aziur Aliu, si ministra të Shoqërisë Informatike dhe Administratës u angazhuan dhe premtuan miratimin e të njëjtit, megjithatë edhe ata nuk patën sukses. Tani, ligji premtohet se do të miratohet në kohën kur me Ministrinë e Administratës udhëheqë ministri Goran Minçev.

Ekspertët vazhdimisht kanë kritikuar për zvarritjen e miratimit të ligjit. Sipas tyre, kjo ndodh për shkak të mungesës së vullnetit politik, por dhe frikës nga humbja e ndikimit në pushtet. Partitë, sipas ekspertëve, me miratimin e një ligji që i detyron institucionet të zgjedhin drejtorë profesionistë dhe jo militantë partiake humbin kontrollin e lojalitetit të anëtarësisë partiake, të cilët kanë apetite për t’u shpërblyer me ndonjë vend drejtori si këmbim për angazhimin e tyre për të mbledhur vota.

Për nevojën e miratimit të këtij ligji, ka alarmuar dhe sektori civil, ndërkaq plotësisht, miratimin e tij e kërkon dhe Komisioni Evropian. Zgjidhja ligjore, parashikon vendosjen e një filtri për të parandaluar emërimet partiake nëpër drejtori dhe sekretariate pa kualifikim përkatës. Megjithatë, mbetet e paqartë se cili version i propozim-ligjit do të miratohet, pasi në debate publike disa herë ka pasur ndryshime. Sidomos, në versionin e fundit, i cili zbuti kriteret rigoroze të filtrimit të kandidatëve që parashikonte versioni i vitit 2019-të. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button