Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe kritikon situatën në shëndetësi: Ministria nuk interesohet për ilaçe
Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe kritikon situatën në shëndetësi: Ministria nuk interesohet për ilaçe

Gazetar: Suad Bajrami
Kryetari i opozitares LSDM, Venko Filipçe në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, thekson se pushteti aktual po udhëheqë politika të papërgjegjshme në sektorin e shëndetësisë. Sipas Filipçes, i cili paraprakisht ka ushtruar edhe pozitën e ministrit të Shëndetësisë, sistemi nuk funksionin, ndërkaq për këtë dëshmon fakti i mungesës së terapive për pacientët e sëmurë nga kanceri, vendosjen e kuadrove jopërkatës në pozitat menaxheriale, por edhe listat e gjata të pritjeve për marrjen e shërbimeve shëndetësore.
“Janë sjellë dhe vendosur menaxherë dhe drejtorë në klinika të cilët me të vërtetë nuk kanë përvojë se si ajo bëhet. Ka drejtorë të klinikave të cilët as operojnë në klinikat e kirurgjisë, nuk kanë asnjë operim pasi janë vendosur në pozitë dhe i udhëheqin kolegjiumet profesionale. Ka drejtorë që nënshkruhen për kujdestari shtesë që të marrin vetëm para, pa qenë fizikisht të pranishëm në asnjë kujdestari në klinika. Të mëdha janë listat e pritjes, nuk ka barna. E gjithë kjo tregon në një painteresim total nga ana e menaxhmentit edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, edhe në pjesën e menaxhimit të klinikave”, deklaroi Venko Filipçe, kryetar i LSDM.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i partisë në pushtet, VMRO-DPMNE, e cila nëpërmjet komunikate thekson se gjatë kohës së LSDM-së kur Filipçe udhëhiqte me resorin e shëndetësisë, njerëzit shëroheshin duke mbledhur donacione nga qytetarë bamirës. Sipas VMRO-DPMNE-së, nuk ka pasur ditë që në rrjetet sociale të mos shpërndahej ndonjë apel për ndihmë që të shërohet ndonjë i sëmurë, të cilin e ka harruar sistemi shëndetësor.
“Nëse dikush është përgjegjës për gjendjet në shëndetësinë maqedonase ajo është e vetmja LSDM dhe Venko Filipçe si ish ministër i Shëndetësisë. Kanë pasur periudhë në dispozicion prej shtatë vitesh në pushtet që të bëjnë diçka për përmirësimin e shëndetësisë. LSDM dhe Venko Filipçe mundën, por nuk bënë asgjë që të mundësojnë kushte përkatëse as për pacientët, e as për punëtorët shëndetësor. Shtatë vite i harxhuan vetëm në kurdisje të tenderëve për kompanitë e preferuara të tyre, prej të cilëve më pas, sipas të gjitha gjasave, kanë marrë përqindje të caktuar”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Sistemi shëndetësor, ndër vite është një prej hallkave më të dobëta të menaxhimit. Mungesa e kuadrove, mungesa e terapive, kushtet jo të mira dhe pritjet e gjata, janë problemet me të cilat përballet ky sektor. /Alsat.mk