Gazetar: Avni Tahiri
Në Trubarevë zjarri është shuar, por akoma kundërmon erë të keqe. Banorët thonë se po përballen me një situatë të rëndë. Kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve për ta kthyer normalitetin. Akoma nuk dihen shkaqet e zjarrit në depon e mbetjeve elektronike dhe plastike.
“Pas situatës së krijuar me zjarrin në zonën e Trubarevës, gjendja sot është normalizuar. Pra siç mund të shihet, në vendin e ngjarjes nuk ka më tym, e gjithë kjo falë ndërhyrjeve të cilat janë bërë për mbulimin me rërë të zonës ku ishte zjarri”, raporton Avni Tahiri, Gazetar.
Megjithëse situata është stabilizuar, banorët edhe sot vazhdonin të mbanin maska kundër ajrit të ndotur në Trubarevë.
“E shoh që mbroheni me maskë sot! Po, ashtu thanë që edhe sot, dashtë Zoti që të pastrohet më shpejtë. Jetoni afër? Po, ja këtu. Si ishte ditët kur shpërtheu zjarri? Të them të drejtën, dje në ora 12:00 e kisha shumë të rëndë. Nuk u evakuuat ju? Jo, isha këtu mbyllur, vendosa edhe peshqir në dritare të mos hynte zjarri”, u shpreh një qytetare.
Ekipet e zjarrfikësve dhe policia ishin të pranishme edhe sot në terren, duke monitoruar gjendjen. Sipas komandantit të Brigadës së Zjarrfikësve të Shkupit, Zvonko Tomevski, ekipet janë gati për ndërhyrje në rast se paraqitet nevoja.
“Tërësisht është ndërpre tymi nga toka, në vendet ku kishte mbeturina apo plastikë dhe kishim shkrirje të brendshme të plastikës përsëri e mbuluam me dhe situata tani është tërësisht e qetë, nuk ka tym. Në mënyrë parandaluese do të qëndrojmë këtu sepse ka mjaftë material djegës dhe do qëndrojmë sa të ketë nevojë por siç shihet në terren nuk ka as zjarr aktiv e as tym”, tha Zvonko Tomevski – Komandant i Brigadës së Zjarrfikësve të Shkupit.
Zjarri në Trubarevë shpërtheu të shtunën rreth orës 13:30, në objektin e një depo të plastikeve dhe mbetjeve elektronike. Tymi i dendur mbuloi Shkupin por falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse, policisë dhe ushtrisë, situata u vu nën kontroll. Në orët e mbrëmjes, Shkupi dhe rajoni përreth u përfshi nga aromë e rëndë, me çka qytetarët u detyruan t’i nënshtrohen masave kufizuese për lëvizje dhe t’i mbyllnin dritaret e shtëpive. /Alsat.mk








