Në UT nis krehja e stafit akademik për shkelje

Në UT nis krehja e stafit akademik për shkelje

Në Universitetin e Tetovës ka nisur krehja e stafit akademik për një sërë shkeljesh. ALSAT mëson se Inspektorati i Arsimit ka gjetur shkeljet e para në një sërë segmentesh, jo vetëm atë të lidhjeve të gjakut, të afërsive familjare mes profesorëve, por edhe të diplomave, notave mesatare, titujve dhe veçanërisht të kompetencave të komisioneve recensuese që kanë dhënë pëlqimin për titujt akademikë. Siç mëson ALSAT, lidhjet e gjakut janë konstatuar tashmë te disa profesorë, por edhe të tjerë me lidhje familjare të bashkëshortësisë, pavarësisht se ligji nuk ka klauzolë përcaktuese për përjashtimin e një rrethane të tillë, gjë që mbetet në moralin dhe integritetin e vetë institucionit dhe stafit akademik për t’u ndaluar.

Sipas faqes zyrtare që ka publikuar universiteti, në listën e mëposhtme të kuadrit mësimor në Fakultetin e Mjekësisë vërehen qartë emrat e Arberesha Feratit dhe Kenan Feratit, burrë e grua; Atilla Rexhepi dhe Meral Rexhepi, burrë e grua; Nexhbedin Beadini dhe Sheqibe Beadini burrë e grua dhe vajza e tyre Albulena Beadini; Valon Asani dhe Nexhat Asani, babë e bir, Nasir Bexheti dhe Mirlind Bexheti gjithashtu babë e bir, Hanife Ahmeti dhe Sihana Ahmeti, motra dhe bashkëshortja e Faton Ahmetit, sekretar i përgjithshëm i BDI-së.
Edhe në një deklaratë, ditë më parë, Halit Ferati, drejtori i Inspektoratit të Arsimit, pranoi se inspektorët janë duke kryer kontrolle në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tetovës.

“Në rastin e Universitetit të Tetovës, ne nuk patëm në plan të rregullt që të bëjmë kontroll në rastin e rizgjedhjes së rektorit, por kemi pasur një inspektim në Fakultetin e Mjekësisë në bazë të planit vjetor dhe inspektimi është nga faza përfundimtare”, deklaroi Halit Ferati, drejtor i Inspektoratit të Arsimit.

Fakulteti i Mjekësisë por edhe të tjera drejtime të Universitetit të Tetovës janë përmendur prej kohësh në opinionin publik për përfshirjet e tyre në lidhje të ndryshme familjare dhe rënien ndesh në disa raste me Ligjin për Arsim të Lartë, i cili sanksionon vetëm lidhjen e gjakut por jo atë të lidhjeve të tjera familjare, konkretisht të bashkëshortësisë. Megjithatë, vetëm në nenet 135 e 136 përcaktohet përjashtimi i pranisë së çfarëdo familjari në komisionet për mbrojtën e punimeve të magjistraturës e doktoratës.

Ligji për Arsim të Lartë, neni 160, pika 6
“Në të njëjtën njësi akademike universitare nuk mund të jenë të zgjedhur me tituj mësimoro-shkencor, mësimoro-profesionalë, tituj mësimorë dhe tituj bashkëpunëtorë që janë në lidhje gjaku në vijë të drejtë në cilëndo shkallë”.

Ligji për Arsim të Lartë, neni 135, pika 11, 12
“Anëtar i komisionit për vlerësimin dhe mbrojtjen e punimit të magjistraturës të paragrafit të këtij neni, nuk mund të jetë personi i cili me personin që mbron punimin e magjistraturës është farefis gjaku në linjë të drejtë deri në cilëndo shkallë, ndërsa në linjë anësore deri në shkallën e katërt, apo e ka bashkëshort/e, personi me të cilin jeton në bashkësi jashtëmartesore apo farefis sipas miqësisë deri në shkallën e dytë.”

Nga Inspektorati kërkuam sërish të dimë dinamikën e përpunimit të raportit dhe masat e mundshme që do të merren për shkeljet, pavarësisht se prej vitit 2018, me ndryshimet e Ligjit për Arsim të Lartë, masat konkrete duhet t’i marrë prapëseprapë titullari i Ministrisë së Arsimit, Jeton Shaqiri. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button