NEFREKTOMIA ME ASISTIM ROBOTIK U KRYE ME SUKSES NË “AXHİBADEM SISTINA”
Ekipi i urologjisë i spitalit kreu me sukses Nefrektomi (heqje e një veshke) e asistuar
robotikisht te një paciente 59-vjeçare. Operacioni u krye nga urologët: Dr. Aleksandar
Mickovski, Prof. Dr. Sotir Stavridis dhe Dr. Vladimir Lozanovski me mbështetjen e ekipit
të anesteziologëve d-r. Emilija Mirçevska dhe d-r. Robert Domazetov, infermierëve dhe
profesionistëve të tjerë të kujdesit shëndetësor të përfshirë në procesin kirurgjikal.
Ndërhyrja u krye sipas planit dhe pacientja, pas një qëndrimi katër-ditor në spital, u
kthye në shtëpi shëndoshë e mirë. Ajo shprehu mirënjohje të pafundme për të gjithë
ekipin e spitalit për trajtimin e suksesshëm dhe profesionalizmin.
"Nuk ka fjalë për të shprehur mirënjohjen time për ekspertizën e mjekëve dhe të gjithë
stafit në spital. Një avantazh i madh për mua dhe familjen time ishte fakti, që këtu në
Maqedoni ekziston një spital që kryen kirurgji robotike, e cila ishte zgjidhja e vetme për
gjendjen time të komplikuar shëndetësore. Në një kohë shumë të shkurtër pas
operacionit, unë tashmë mund të lëviz dhe të shkoj në shtëpi, dhe ajo që është më e
rëndësishmja është se do të kem një jetë cilësore, pa dhimbje", tha pacientja Qamile
Ljuboja.
Në tumoret komplekse të veshkave, roli i teknologjisë së asistuar nga roboti është me
rëndësi të madhe sepse i lejon kirurgut lëvizje shumë të sakta dhe të kontrolluara,
vizualizim të përmirësuar të fushës kirurgjikale dhe akses në strukturat anatomike në
një hapësirë të kufizuar, gjë që është me rëndësi të veçantë në ndërhyrjet komplekse
urologjike.
"Pas aplikimit të suksesshëm në operacionet e prostatës, tani kemi aplikuar teknologjinë
robotike te një pacient me tumor në veshka. Kjo është nefrektomia e parë e asistuar
nga roboti e kryer në vendin tonë, duke dëshmuar se jemi pionierë në ndërhyrje të
shumta urologjike. Ndërhyrje të tilla kërkojnë punë të saktë kirurgjikale dhe kontroll
maksimal në çdo fazë të operacionit, dhe këtu dalin në pah avantazhet e sistemit
robotik. Jemi krenarë që falë teknologjisë robotike, po u japim pacientëve në vend dhe
në rajon një shans për një operacion shumë të sigurt dhe preciz, që për ta do të thotë
shërim më i shpejtë dhe një rrezik dukshëm i reduktuar i ndërlikimeve", tha Dr.
Aleksandar Mickovski, specialist i urologjisë.
Duke zgjeruar spektrin e procedurave, Axhibadem Sistina zhvillon vazhdimisht aplikimin
e kirurgjisë robotike si pjesë të praktikës së rregullt klinike, dhe krijon mundësinë që
procedurat moderne kirurgjikale minimalisht invazive të jenë të disponueshme për një
numër gjithnjë e në rritje pacientësh nga vendi dhe rajoni.








