Nesër grevë e doganierëve në Greqi, priten bllokime në pikat kufitare
Doganierët në Greqi do të mbajnë grevë më 27 korrik, ndërsa pikat kufitare do të jenë të mbyllura për gjithsej katër orë. Nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë së Veriut (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), të gjitha pikat kufitare do të jenë të mbyllura.
Greva do të prekë drejtpërdrejt tre pikat kryesore kufitare mes dy vendeve: Evzoni (Bogorodicë), Dojran dhe Niki (Mexhitli).
Gjatë bllokadës katërorëshe, qarkullimi i automjeteve të pasagjerëve do të zhvillohet sipas një regjimi të rreptë, ndërsa për kamionët dhe automjetet e transportit të mallrave do të ketë bllokim të plotë të hyrjes dhe daljes nga Greqia.
“Në periudhën nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë së Veriut (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në pikat kufitare të lartpërmendura automjetet e pasagjerëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të ndërpritet plotësisht, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë. Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike”, njoftoi MPB.








