Nesër votohet në zgjedhje të dyfishta

Nesër votohet në zgjedhje të dyfishta

Gazetare: Fatlume Dervishi

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka shpërndarë materialin e besueshëm zgjedhor nëpër vendvotime, dha edhe lejet e fundit për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe vazhdon të presë ankesa nga qytetarët sa i takon të drejtën individuale të votës. Kjo mundësi do të jetë e hapur deri nesër në mbylljen e votimeve. Ndërkohë garuesit në zgjedhje janë në heshtje zgjedhore e cila ka filluar mbrëmë nga mesnata dhe do të zgjasë deri nesër në ora 19.00.

KSHZ-ja kujton që vota është individuale, nuk lejohet votimi familjar dhe nuk lejohet fotografimi i votës. Për zgjedhjet e dyfishta, votuesi mund të paraqitet vetëm një herë në vendvotim.

“Këshilli zgjedhor detyrimisht i pyet votuesit për cilin lloj të zgjedhjeve do të votojnë. Do të votojnë për zgjedhje presidenciale, do të votojnë për zgjedhje parlamentare ose për të dy llojet e zgjedhjeve. Po ashtu ua sqaron mënyrën e votimit. Votuesi mund të paraqitet në vendvotim vetëm një herë për të realizuar të drejtën e tij të votimit”, deklaroi Dimitre Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.

Këshillat zgjedhor duhet të udhëzojnë qytetarët dhe të sigurojnë që ata të mund ta realizojnë të drejtën e tyre të votës. KSHZ-ja fton trupat zgjedhor të respektojnë ligjet.

“KSHZ-ja apelon deri këshillat zgjedhor dhe Komisionet komunale zgjedhore të vazhdojnë të respektojnë ligjet dhe Kodin zgjedhor, udhëzuesit dhe rregulloret e miratuara nga KSHZ-ja me qëllim zbatimin e zgjedhjeve të dyfishta ditën e nesërme”, tha Boban Stojanovski, anëtar i KSHZ-së.

1 815 350 persona janë në listën zgjedhore me të drejtë vote për zgjedhjet parlamentare. Ky numër është për 1033 më i lartë se personat në listën zgjedhore për zgjedhjet presidenciale. Qytetarët brenda vendit do të mund të votojnë në 3480 vendvotime. Votimi bëhet me dokument të vlefshëm ose të skaduar jo më herët se 24 korriku 2023 për ata që votojnë për president, dhe jo më herët se 8 gushti 2023 për ata që votojnë për zgjedhjet parlamentare. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button