Netanjahu i ka hedhur poshtë thirrjet për të ndalur ofensivën ushtarake në Gazë

Netanjahu i ka hedhur poshtë thirrjet për të ndalur ofensivën ushtarake në Gazë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, i ka hedhur poshtë thirrjet për të ndalur ofensivën ushtarake në Gazë, duke u zotuar për “ta përfunduar punën”.

Ndërkohë, një anëtar i kabinetit të tij ka kërcënuar me pushtim të qytetit jugor të Gazës, Rafah, nëse pengjet e mbetura izraelite në duart e Hamasit, nuk lirohen deri në nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit. Në kohën e bllokimit të negociatave për armëpushim, Netanyahu i ka quajtur kërkesat e Hamasit si “iluzione”.

Ai ka thënë se Izraeli kërkon “fitore të plotë” ndaj Hamasit.. Duke folur për shqetësimet e ndërkombëtarëve për ofensivën në Rafah, Netanjahu ka thënë se civilët palestinezë do të evakuohen, ndonëse nuk dihet se ku do të mund të shkojnë ata, pasi një pjesë e mirë e Gazës është rrafsh me tokë.

“Izraeli refuzon kategorikisht dekretet ndërkombëtare për një marrëveshje të përhershme me palestinezët. Një marrëveshje e tillë do të arrihet vetëm përmes negociatave të drejtpërdrejta ndërmjet palëve. Izraeli do të vazhdojë të kundërshtojë njohjen e njëanshme të shtetit palestinez. Një njohje e tillë, pas masakrës së 7 tetorit, do t’i japë një çmim të madh terrorit, një çmim që nuk është parë më parë dhe do të parandalojë çdo marrëveshje paqeje në të ardhmen”, tha Benjamin Netanjahu, Kryeministër izraelit.

Shtetet e Bashkuara, aleatet kryesore të Izraelit, janë duke shpresuar ende në arritje të armëpushimit dhe marrëveshje për pengjet, dhe janë në kërkim të një zgjidhjeje më të madhe.   Lufta në Gazë ka vrarë mbi 29 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Rreth 80 për qind e popullsisë së Gazës është zhvendosur dhe një çerek po përballet me uri./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button