Nga kujdesi për pacientët në protestë, ish-punonjësit e Klinikës së Fëmijëve kërkojnë drejtësi
Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Pesë muaj pa paga dhe tashmë edhe pa punë. Rreth 50 ish punonjës me kontratë në vepër në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve protestuan sot para Ministrisë së Financave, duke kërkuar pagesën e pagave të papaguara, vazhdimin e kontratave dhe një zgjidhje për statusin e tyre. Pavarësisht viteve të tëra të punës dhe përkushtimit në sistemin shëndetësor, kontratat e tyre janë ndërprerë. Mes tyre ka edhe punonjës me deri në tetë vite përvojë, të cilët sot janë lënë pa të ardhura dhe pa asnjë përgjigje konkrete për të ardhmen e tyre.
“Pas pesë muajsh pritje ne kemi marrë vetëm përgjigje negative. Nëse nuk ka pasur qëllim për vazhdimin e kontratave, atëherë pse përgjigja është vonuar 5 muaj, për çfarë arsye punëtorët janë lënë të vazhdojnë punën deri në fund të muajit maj, ndërkohë që kërkesat kanë qenë në pritje që nga muaji janar. Si është e mundur që mbi 90 për qind e institucioneve shëndetësore kanë marrë përgjigje pozitive, ndërsa për klinikën tonë vazhdimisht jepen përgjigje negative?, tha Flora Gashi, ish punonjëse në Klinikën e Fëmijëve
Edhe pse fillimisht kërkesa e tyre për takim u refuzua, pas një përpjekjeje të dytë përfaqësuesit e punonjësve u pranuan në Ministrinë e Financave. Pas takimit me sekretaren e ministrisë, atyre iu komunikua se çështja do të rishikohet nga fillimi për të përcaktuar se ku ka ngecur procedura dhe se institucionet do të angazhohen për të gjetur një zgjidhje për problemin e tyre.
“Vendim për momentin nuk ka, tash do t’i shqyrtojnë lëndët nga e para, ata nuk e dinin ku është problemi, tash do nisin prej fillimi, prej te drejtori do nisin ta ndjekin procedurën se ku është problemi, a është tek Financat apo është diçka problem administrativ…0:54 brenda javës së ardhshme thanë se do të keni ndonjë informacion”, deklaroi Sedat Bushi, ish punonjës në Klinikën e Fëmijëve
Nga Klinika për Sëmundje të Fëmijëve më herët kanë deklaruar se përballen me mungesë urgjente të stafit, pasi një pjesë e punonjësve janë mbi moshën 57-vjeçare ose pranë pensionimit. Megjithatë, pavarësisht nevojës së madhe për kuadër, kërkesa për vazhdimin e kontratave ishte refuzuar nga Ministria e Financave.
Ndërsa punonjësit kërkojnë rikthimin në vendet e tyre të punës, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka premtuar zgjidhje, por jo edhe garanci se të gjithë të larguarit do të kthehen në punë. Në një intervistë për Alsat, ai tha se po punohet për tejkalimin e problemit kadrovik, por la të hapur mundësinë që një pjesë e të larguarve të mos rikthehen në vendin e tyre të mëhershëm në Klinikën e Fëmijëve. /Alsat.mk









