Nga një muaj paraburgim katër të dyshuarve për grabitjen e armatosur në Suharekë
Nga një muaj paraburgim katër të dyshuarve për grabitjen e armatosur në Suharekë

Gjykata Themelore në Prizren ua ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, katër të dyshuarve për grabitjen e armatosur të ndodhur ditë më parë në një argjendari në Suharekë.
Sipas njoftimit, të pandehurit B.B., B.I., dhe L.C., dyshohen për veprën penale “Grabitja”, ndërsa T.B., dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
Të pandehurit B.B., B.I., dhe L.C., më datë 22 nëntor, në ora 15:45min në qytetin e Suharekës, saktësisht në lokalin Argjendaria “Diakos 2“, me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër duke vepruar si anëtarë të grupit të armatosur, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personave tjerë – të dëmtuarve T.B., dhe A.B:, me qëllim që t’i sjellin vetes dhe anëtarëve tjerë të grupit dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që të pandehurit B.B., B.I., K.G., D.G., dhe L:C., që të gjithë të maskuar, të veshur me rroba të zeza dhe me doreza në duar, të gjithë të pajisur me armë frontale të gjata, njëri prej tyre me armë të gjatë në duar kryen rolin e rojës ndërsa të tjerët futen brenda në argjendari dhe nën kërcënimin e armëve marrin peng pronarin e lokalit të cilin e lidhin me lidhëse plastike për të neutralizuar rezistencën e tij dhe pastaj fillojnë me grabitjen e arit duke demoluar vitrinat dhe xhamat, ku edhe arrijnë të marrin ari duke shkaktuar humbje në shkallë të madhe dhe ashtu të maskuar dhe me armë të gjata në duar, me veturën e markës “Chevrolet Cruze” ngjyrë hiri me targa ……., largohen në drejtim të rrugës “Avdyl Rama” për të vazhduar nga fshati Sopijë e në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezercë të Ferizajt, nga ku edhe bëhen të pa arritshëm, ndërsa me datë 30 nëntor 2023, të pandehurit B.B., B.I., dhe L.C., arrestohen nga Policia.