Nga sot hynë në fuqi çmimet e ngrira të vezëve dhe orizit vendor

Nga sot hynë në fuqi çmimet e ngrira të vezëve dhe orizit vendor

Gazetar: Adnan Qaili

Prodhuesit e vezëve dhe orizit, si dhe kompani të tjera prodhimet e të cilave janë me çmime të ngrira, sigurojnë se pavarësisht humbjeve që mund pësojnë, nuk do t’i lënë qytetarët pa ushqime elementare. Nga sot vezët dhe orizi vendor shiten me çmimet referente të 15 marsit, ku nuk u kaluan 10 denarë për një kokërr vezë dhe 60 denarë për 1 kilogram oriz. Nga Shoqata e fermerëve thonë se në baza ditore arrijnë të prodhojnë rreth 800 mijë vezë dhe se kjo është e mjaftueshme për të mbuluar nevojat e tregut vendas. Ata sqarojnë se vetëm tepricat do të tregtohen jashtë vendit, ku ka edhe një kërkesë të madhe.

“Vërehet një mungesë e madhe e vezëve jo vetëm në tregun vendor, por edhe në të gjithë rajonin e më gjerë dhe kjo për shumë faktorë, njëri ndër ta edhe gripi i shpezëve në disa shtete tjera”, thonë nga Shoqatat e fermerëve.

Prodhuesi e orizit kanë frikë se ngrirja e çmimit mund t’i godasë drejtpërdrejt. Ata druajnë se tregtarët do të ulin çmimet, do tu vonojnë pagesën dhe kjo do të përkeqësojë gjendjen e tyre.

“Para se të marrim ndonjë vendim, duhet të mendojmë edhe për pasojat që do të mbajmë ne prodhuesit në bazë të atyre vendimeve të qeverisë, të cilat nuk janë në përputhje me nevojat tona për prodhimin e orizit dhe që mohojnë dëshirën tonë për të kultivuar tokat bujqësore”, shprehen prodhuesit e orizit vendor.

Nga Drejtoria e Doganave konfirmojë se në ditët e fundit ka pasur rritje të eksportit të vezëve. Statistikat e kësaj drejtorie, tregojnë në periudhën prej 17-21 mars, eksporti i vezëve është regjistruar për 2 ditët para se të merret vendimi për kufizim të eksportit të vezëve në 30%. Sipas këtyre të dhënave janë eksportuar rreth 40% të vezëve jashtë shtetit, shifër e cila nuk duhet të përsëritet nga sot.

Drejtoria e Doganave
Më 17 Mars 2023 janë eksportuar 298 080 vezë
Më 21 Mars 2023 janë eksportuar 302.400 vezë

Përderisa qytetarët kryesisht me paga të ulëta ballafaqohen çdo ditë me çmimeve të larta të produkteve ushqimore, Ministri i Financave Fatmir Besimi thotë se duhet rritet standardi jetesës në plan afatgjatë.

“Rritja e pagës minimale që nuk erdhi si rezultat i negociatave këtë vit, por erdhi si rezultat i qasjes së qeverisë për zgjidhje sistematike të punëve. Të sigurohet standardi i jetesës dhe njëkohësisht të ndiqet produktiviteti i rritjes së ekonomisë. Këtë vit kemi rritje edhe të pagës mesatare dhe çmimet nga ana tjetër, kanë arritur në rritje krahas pagës minimale diku vetëm 10%”, deklaroi Fatmir Besimi, Ministër i Financave.

E ndërsa Odat ekonomike kritikojnë se çmimet janë ngrirë artificialisht dhe se qeveria duhet të ulë taksat dhe detyrimet e tjera për të ndihmuar realisht qytetarët dhe kompanitë, autoritetet sistematikisht njoftojnë analiza të reja për ngrirje të mundshme të produkteve të mishit, si dhe të fruta-perimeve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button