Nga sot ulen për 10 deri 15 për qind çmimi i brumërave e qumshtit

Nga sot ulen për 10 deri 15 për qind çmimi i brumërave e qumshtit

Gazetar: Adnan Qaili

Vendimet u vënë na zbatim. Megjithëse çmimet e pastave dhe disa produkteve të qumështit u ulën për 6-9 denarë, autoritetet thurën lavde për kompanitë. Madje paralajmëruan edhe masa të reja lehtësuese për prodhuesit, të cilët sipas tyre do të tregojnë përgjegjësi sociale për ulje të mëtejme të çmimeve. Deri në fund të javës tjetër pas analizave të çmimeve të pa ngrira në treg, do të merren vendime për masa që do zbatohen nga muaji prill. Kryeministri Kovaçevski sot iu bashkua 160 inspektorëve në terren për të mbikëqyrur çmimet, por nuk dolën duarthatë nga shitorja, duke blerë në aksion. Ai tha se pastat janë ulur për 15% ndërsa produktet e qumështit për 10%, krahasuar më 1 marsin.

“Personalisht desha të vërtetohem se a po respektohen vendimet që i miratuam dhe sa a kanë ndërgjegje prodhuesit, transportuesit dhe tregtarët. Askënd nuk do ta lëmë vetë të ballafaqohet me krizën, por nuk do të lejojmë përfitimet personale të bëhen nga xhepat e qytetarëve”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër i RMV-së.

Sipas kërkimeve që bëmë nëpër markete, ulje të çmimeve janë bërë vetëm pasi u detyruan me afatin një javor, ndërsa produktet tjera të ngjashme që nuk përfshihen në vendim janë akoma me çmime të larta.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se masat e reja do të lehtësojnë “shpinën” e qytetarëve, duke hequr dorë pak shteti nga tatimet ndërsa pak prodhuesit nga fitimet. Nesër do të shqyrtohen analizat për ngrirje e çmimeve të sheqerit, vezëve dhe orizit. Por, ai tha se lista e produkteve me marzhë të TVSH-së duhet të rishikohet, për shkak se disa produkte ushqimore janë bërë luks, por kanë tatim vetëm 5%.

“Produktet bazë që deri më tani i theksuam do të mbeten me marzhën 5%, sepse bëhet fjalë për produkte ushqimore bazë, por për fat të keq nga vendimet e mëparshme prej 7-9 vjet janë me marzhë 5% por janë luksoze. Shumica e qytetarëve ato nuk i përdorin, përse ato të tatimohen me 5% në vend që produktet bazë të lirohen edhe më tepër”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Sipas ministrit, gabim i paqëllimshëm apo teknik mund të ketë qenë edhe llogaritja e shportës sindikale të konsumatorit, i cili theksoi se nuk i kalon 43.000 denarë. Bekteshi tha se këtë e kanë konstatuar me këshilltarët e tij dhe kërkon takim me Lidhjen e Sindikatave, të cilët për muajin shkurt për plotësimin e nevojave elementare të një familje 4 anëtarëshe e nxorën 50.909 den ose 15,000 den më shumë se vjet. Sipas teorisë së kreun të Ekonomisë, inflacioni në produktet ushqimore u llogarit dy herë nga gushti e në vazhdim në metodologji dhe në të gjithë elementët që ishin specifikuar në metodologjinë e mëparshme. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button