Nikollovski: Hekurudha me Bullgarinë nuk do të ndërtohet deri sa nuk ka marrëveshje me palën bullgare

Nikollovski: Hekurudha me Bullgarinë nuk do të ndërtohet deri sa nuk ka marrëveshje me palën bullgare

Gazetare: Fatlume Dervishi

Qëndrime të ndryshme dhe paqartësi të tjera rreth ndërtimit të hekurudhës që lidh Shkupin me Sofjen në kuadër të Korridorit 8. Ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski thotë se më në fund ka dialog me palën bullgare për projektin por se ai nuk do të ndërtohet deri sa nuk ka një marrëveshje konkrete mes dy vendeve.

“Hekurudhë me Bullgarinë do të ketë në atë moment kur ne do të merremi vesh se bashkë do ta mbarojmë hekurudhën sepse qëllimi i asaj hekurudhe është që Shkupi dhe Sofja të bashkohen dhe jo të mos bashkohen. E dyta, kostoja duhet të rishikohet. Ne nuk mund të paguajmë 560 milion euro për 24 kilometra hekurudhë. Ne jemi të gatshëm të gjejmë zgjidhje të përbashkët. Ajo që nuk duam ta shohim është rasti i pikës kufitare Klepallo, nga ana maqedonase është ndërtuar para 20 vitesh kurse nga ana tjetër ka pyje”, tha Aleksandar Nikollovski, ministër i Transportit.

Ndërtimit të korridoreve dhe konkretisht këtij projekti rëndësi i ka kushtuar edhe kryetarja e KE-së Ursula Fon Der Lajen gjatë vizitës së saj në Shkup një ditë më parë. Për dallim nga Nikollovski, ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani thotë se rishikimi i projektit do të çojë në humbjet e mjeteve të parapara. Murtezani thonë se në qoftë se shohin shenja nga Bullgaria se do ta ndërtojnë Korridorin atëherë nuk ka pengesa për të vazhduar me ndërtimin nga pala jonë.

“Prolongimi i projektit ose ndryshimi i trasesë nuk do ta bëjë projektin më të lirë për arsye se ne në kornizën financuese kemi një grant në vlerë prej 235 milion euro nga mjete të pakthyeshme. Në qoftë se ne i humbim afatet ose e ndërrojmë trasenë, çfarëdo ndryshimi që të kemi, nga humbja e këtyre mjeteve, çmimi do të jetë shumë më i lartë. Plus asaj në qoftë se në një periudhë prej 5-6 muajve nëse nuk e ritenderojmë ose nuk përzgjedhim ndërtues të seksionit të tretë do të humbim mjete prej 30 milion euro të cilat janë nga fondet IPA 2”, u shpreh Orhan Murtezani, ministër për Çështje Evropiane.

Bullgaria ka njoftuar se projektin mund ta përfundojë deri në vitin 2026 kurse ndërtimin deri në vitin 2030. Plani fillestar i Maqedonisë ishte që projekti të ndërtohej deri në vitin 2028, që nënkupton dy vite boshllëk kohor për të cilin Nikollovski nuk pajtohet.

Nikollovski foli edhe për autostradën Shkup-Bllacë, projekti i të cilës, siç thotë ai, përfundon në humnerë. Ai thotë se autostrada do të ndërtohet por me çmim real dhe i realizueshëm. Për momentin zhvillohen paralelisht dy procese, vlerësohen çmimet për projektin ekzistues dhe të shihet kostoja dhe varianti i dytë, nëse vërtetohet se kostoja është e lartë, të gjendet zgjidhje optimale, të bëhet studim fizibiliteti që do të nënkuptonte autostradë me çmime reale, sqaroi Nikollovski.

Një rrugë tjetër e premtuar për të cilën akoma nuk ka një projekt është ajo e rrugës Tetovë-Prizren. Edhe Nikollovski, edhe kreu i Komunës së Tetovës Bilall Kasami thonë se bashkë me Kosovën duhet të bëhet projekt i përbashkët dhe më pas të kërkohet financues dhe zbatues./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button