Një 23-vjeçar ka ndërruar jetë të shtunën në Burgun e Shutkës

Një 23-vjeçar ka ndërruar jetë të shtunën në Burgun e Shutkës

Gazetar: Suad Bajrami

Një i burgosur 23-vjeçar me inicialet S.R, nga Shkupi ka ndërruar jetë të shtunën në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”. Drejtori i Burgut të Shutkës, Boban Utkovski deklaron për Alsat se rasti nuk ka të bëjë me ndonjë incident apo dhunë, ndërsa personi ka pasur probleme shëndetësore.

Më 7 mars, e shtunë me automjet të Ndihmës Urgjente në ora 13:15 e kemi dërguar në Gastroenterohepatologji ku i njëjti është hospitalizuar më 15:39, ndërsa më pas është shkaktuar koma dhe vdekje më 20:07. “Pacienti në vazhdimësi ka 7 kontrolle specialistike, është dërguar në të gjitha klinikat e rekomanduara nga specilasiti dhe janë kryer të gjitha rekomandimet dhe udhëzimet e tyre,” tha Boban Utkovski, Drejtor i Burgut të Shutkës.

Alsat ka siguruar dosjen shëndetësore të 23-vjeçarit, i cili prej ditës së parë në Burgun e Shutkës, gjegjësisht 16 shkurt është evidentuar si pacient me sëmundje të gjakut “Trombocitopeni” apo mungesë të trombociteve në gjak, Anemi apo pagjakësi, por edhe me tension të lartë të gjakut. Sipas dokumentacionit, më 17 shkurt personi për herë të parë është dërguar në Hematologji ku i janë bërë analizat dhe kontrollet e nevojshme.

“I janë sqaruar rreziqet e mundshme nga numri i ulët i trombociteve dhe nga nevoja për hospitalizim dhe mjekim stacionar të pacientit, i njëjti e ka refuzuar hospitalizimin. I është hapur histori nëpërmjet mjekimit ditor dhe është filluar terapi me kortikosteroid,” tha Boban Utkovski, Drejtor i Burgut të Shutkës.

Kontrollet e radhës kanë vijuar më 18, 20, 25 shkurt dhe 6 mars ku gjithashtu i janë bërë analiza dhe i është dhënë terapi, ndërsa është kërkuar mendime dhe udhëzime për në Gastrologji, Nefrologji, Pulmologji dhe Alergologji. Ditën kritike, pacienti është dërguar në Gastroenterohepatologji dhe është hospitalizuar, megjithatë pas komplikimeve 23-vjeçari ka rënë në koma dhe më pas ka vdekur. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button