Një javë pas stuhisë, rrugët ende të papastruara, qytetarët ankohen për mospastrimin
Gazetare: Ilirida Sulejmani
Që prej stuhisë së fuqishme që goditi Shkupin javën e kaluar, në shumë pjesë të qytetit vazhdojnë të jenë të pranishme gjurmët e dëmeve, ku në rrugë ende hasen degë, pemë të rrëzuara, gjethe e mbeturina.
Banorët ankohen se edhe pse ka kaluar një javë, nuk po ndërmerren masa të duhura për largimin e druve nga rrugët dhe trotuaret, gjë që pengon qarkullimin e tyre.
“Nuk janë duke punuar, gjithë drunjtë në rrugë ishin ,asgjë nuk punojnë”, tha një qytetar.
“Kjo është katastrofë e madhe, as dritaret nuk mund t’i hapim, as gjumë nuk mund të bëjmë. E lus kryetarin t’i largojë këto”, tha një qytetar tjetër.
“Mbeturinat kudo janë problem në Maqedoni, pikërisht këtu edhe degët që i shohim nga era e madhe, do të thotë duhet të pastrohen, duhet të trajtohen, nëse nuk trajtohen, krijohet problem ekologjik. Higjiena komunale a e ka parasysh këtë problem, nuk e di”, u shpreh qytetari.
Qytetarët u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të përshpejtojnë pastrimin dhe largimin e degëve të cilat ndodhen ne çdo cep të rrugës, në mënyrë që situata të rikthehet në normalitet. Ndërkohë autoritetet komunale thonë se kanë mënjanuar shumicën e dëmeve nga stuhia e së martës së kaluar, ndërsa në disa pjesë akoma po punohet për pastrim./Alsat.mk.








