Qeveria nuk ngutet me masa për derivatet, pret fundin e muajit
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Qeveria është në pritje të përfundimit të muajit, me shpresë që të mos ketë nevojë të ndërmarrë masa për uljen e TVSH-së apo akcizave për derivatet. Kjo bazuar në periudhën kur deri më 31 korrik, Qeveria duhet të bëjë përllogaritjet mesatare të akcizave. Çmimet më tepër do të varen nga marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Iranit e për momentin, çmimi në bursat botërore vazhdon të bie.
“Tani përfundon ajo gjysma e dytë e muajit. Të hënën do të bëjmë vlerën mesatare për gjysmën e dytë të muajit dhe në bazë të atyre parametrave do të veprohet në çmimin e derivateve të naftës. Mirë është se për të dytën ditë me radhë bie çmimi, sot është stabilizuar rreth 85-86 për barel. Kështu që javën që vjen pres ulje më të madhe të dizelit dhe benzinave”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Në pyetjen nëse Qeveria do të sjellë masa paraprake para se të vendoset për çmimet e reja, kryeministri përsëriti se Qeveria vetëm se ka ndërmarrë një herë masa për akcizat.
“Ne njëherë vetëm se ndërmorëm masa për akcizat. Tani presim të përmbyllet kjo javë 31 korriku. Gjysma e dytë e muajit, kështu është ligji e më pas të sjellim masa shtesë”, shtoi Mickoski.
Çmimet globale të naftës ranë ndjeshëm pas një ndërprerjeje të luftimeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke shënuar rënien e tyre më të madhe që nga 8 prilli. Kontratat e ardhshme të Brent, indeksi global i referencës, u mbyllën në 85.87 dollarë për fuçi, duke rënë me 11.3%. Nafta bruto amerikane ra rreth 7% në 82.61 dollarë për fuçi. Presidenti amerikan Donald Tramp tha se SHBA-të ndërprenë sulmet ndaj Iranit me kërkesë të regjimit iranian dhe paralajmëroi se do të rifillojnë sulmet nëse nuk arrihet një marrëveshje e re armëpushimi. Trafiku i anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit mbetet gjithashtu shumë nën nivelet e paraluftës./Alsat.mk








