Një kardiolog këshillon se si të reduktoni rrezikun e një ataku kardiak
Një atak në zemër ndodh kur rrjedhja e gjakut në zemër zvogëlohet ose ndërpritet, duke e privuar zemrën nga oksigjeni shumë i nevojshëm.
Për fat të mirë, ka shumë mënyra për të reduktuar rrezikun e një ataku në zemër dhe sipas kardiologëve, lënia e duhanit është një nga hapat më efektivë.
“Duhanpirësit kanë dy herë rrezikun e sulmit në zemër dhe përfitimet e lënies së duhanit janë pothuajse të menjëhershme – brenda 24 orëve rreziku fillon të ulet”, thotë kardiologu Gregory J. Mishkel. Kardiologia Jane Morgan shton: “Edhe një cigare e rrit ndjeshëm rrezikun”.
Pirja e duhanit e dëmton zemrën në shumë mënyra, duke përfshirë dëmtimin e arterieve, rritjen e presionit të gjakut dhe ndërtimin e pllakave. Gjithashtu rrit ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru. Lënia e duhanit lejon trupin të rikuperohet dhe presioni i gjakut dhe rrahjet e zemrës kthehen në nivele më të shëndetshme.
“Konsistenca është çelësi i suksesit. “Nëse aktualisht pini duhan, kërkoni mbështetjen e një mjeku ose një këshilltari profesionist për të vendosur synime të vogla, të arritshme dhe gradualisht ta lini atë”, këshillon Dr. Mishkel.
Megjithatë, edhe ata që nuk pinë duhan nuk janë plotësisht të lirë nga rreziku. Rreziku i sulmit në zemër rritet me moshën, veçanërisht tek meshkujt mbi 45 vjeç dhe tek femrat mbi 50 vjeç. Adoptimi i zakoneve të shëndetshme, si dieta mesdhetare, mund të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun. Kjo dietë përfshin shumë perime, fruta, peshk, drithëra dhe yndyrna të shëndetshme, ndërkohë që kufizon sheqerin, kripën dhe yndyrat e ngopura. Gjithashtu, stërvitja e rregullt, të paktën 150 minuta në javë, forcon zemrën dhe ul kolesterolin.
Menaxhimi i stresit, gjumi i mirë dhe marrja e moderuar e alkoolit kontribuojnë më tej në shëndetin e zemrës.
“Stresi kronik rrit presionin e gjakut dhe shkakton inflamacion, i cili mund të çojë në probleme me zemrën”, shpjegon doktor Mishkel, duke këshilluar teknika të tilla si meditimi, frymëmarrje e thellë dhe aktivitet fizik. Dr. Morgan gjithashtu thekson rëndësinë e respektimit të medikamenteve të kolesterolit të përshkruara, sepse ato mund të shpëtojnë jetë.
Kujdesi për shëndetin e zemrës kërkon hapa të kujdesshëm, por çdo përpjekje shpërblehet. Duke adoptuar këto zakone, ne jo vetëm reduktojmë rrezikun e sulmit në zemër, por gjithashtu përmirësojmë shëndetin e përgjithshëm të trupit tonë.