Një vit pas tragjedisë në diskotekën “Pulse” në Koçan, dëshmitë zbulojnë mangësi serioze për sigurinë
Një vit pas tragjedisë në diskotekën “Pulse” në Koçan, dëshmitë zbulojnë mangësi serioze për sigurinë
Gazetar: Petar Çaushevski
Nga dëshmitë në procesin gjyqësor për zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, mund të vërehet se në klub ka pasur shumë mangësi në aspektin e sigurisë. Kanë munguar aparatet kundër zjarrit, hidranti nuk ka pasur ujë, ndërsa objekti nuk ka pasur dyer për evakuim. Pas tragjedisë, nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim thonë se është rritur numri i kontrolleve të jashtëzakonshme në objektet e gastronomisë.
“Gjatë vitit të kaluar, nga marsi deri në fund të dhjetorit, janë kryer rreth 1300 inspektime, prej të cilave 800 të jashtëzakonshme. Gjatë këtyre inspektimeve janë shqiptuar mbi 80 gjoba dhe janë dhënë mbi 35 vendime për ndalim të punës,” tha Zhivko Stavreski, ndihmës i inspektorit të përgjithshëm në DMSH.
Nëse gjatë kontrolleve janë konstatuar shkelje serioze të ligjit për mbrojtje dhe shpëtim dhe të ligjit kundër zjarrit, është shqiptuar ndalim i punës së objektit. Stavreski thekson se nuk ka mjaftueshëm inspektorë për të mbuluar territorin e të gjithë shtetit.
“Momentalisht disponojmë me 13 inspektorë, të cilët janë të shpërndarë në 14 nga gjithsej 35 degët rajonale të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Me çka duhet të them se një pjesë e madhe e territorit, për fat të keq, mbetet e pambuluar nga inspektorë që do të kryenin mbikëqyrje inspektuese,” deklaroi Zhivko Stavreski, ndihmës i inspektorit të përgjithshëm në DMSH.
Pas disa ditëve do të shënohet përvjetori i tragjedisë ku humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u plagosën. Kryetari i Komunës së Koçanit, Vllatko Grozdanov, njoftoi se përvjetori i tragjedisë në Koçan do të shënohet me program treditor. Të shtunën, Qeveria ka paralajmëruar konferencë ndërkombëtare të titulluar: “Aspektet institucionale dhe klinike dhe zgjidhjet pas zjarrit në Koçan – një vit më pas.”








