E tëra çfarë duhet të bësh është të kafshosh plastikën dhe t’ia lësh punën makinës.
Kjo është ajo që premton “g.eN”, pajisja e parë e larjes së dhëmbëve që vjen nga Japonia. Kjo furçë dhëmbësh robotike u zhvillua duke përdorur teknologjinë nga Laboratori i Robotikës në Universitetin Waseda. Ajo përbëhet nga një strehë që përdoruesi e mban në dorë, dhe në pjesën e hapur ka një plastikë me një set prej 16 furçash të vogla, të cilat vihen në lëvizje nga një motor i vogël por i fuqishëm, shkruan “Daily Mail”.
Kur kafshoni grykën plastike, pajisja aktivizohet automatikisht dhe lëviz furçat në drejtime të ndryshme – lart, poshtë, majtas dhe djathtas, dhe siç pretendon kompania “Jenix”, e cila qëndron pas kësaj pajisjeje, dhëmbët tuaj do të pastrohen plotësisht pas 30 sekondash.
Krijuesit e kësaj pajisjeje thonë gjithashtu se ky është roboti i parë i higjienës orale që mund ta bëjë larjen e dhëmbëve “më pak stresuese dhe më të sigurt”.
Ata gjithashtu theksojnë se furça e tyre robotike e dhëmbëve i pastron dhëmbët më shpejt dhe më plotësisht se një furçë klasike, sepse pastron të dyja anët e dhëmbëve në të njëjtën kohë – si pjesën e brendshme ashtu edhe atë të jashtme.

Specifikimet
Pajisja ka 16 furça të vogla. Është më e lehtë se versionet e mëparshme të “g.eN” dhe peshon vetëm 220 gramë. Karikohet duke përdorur një karikues USB-C.
Ofron katër mënyra të ndryshme larjeje: “E lehtë”, “Kujdes”, “Kujdes i veçantë” dhe “Fëmijë”.
Për kë është menduar pajisja?
Në faqen e tyre të internetit, prodhuesit deklarojnë gjithashtu se shëndeti oral dhe dentar është i rëndësishëm për shëndetin tonë të përgjithshëm, për parandalimin e kariesit dhe për uljen e rrezikut të sëmundjeve.
Personat me nevoja të veçanta (të moshuar/persona me aftësi të kufizuara) – ata kanë nevojë për dikë që t’i ndihmojë të lajnë dhëmbët. Kjo kërkon shumë përpjekje fizike dhe mendore.
Biznesmenët/gjenerat e rinj – janë të zënë dhe duan të kursejnë kohë kur lajnë dhëmbët. “Larja perfekte e dhëmbëve kërkon kohë dhe aftësi të larta larjeje”, thekson faqja e internetit.
Jenix gjithashtu pretendon se më shumë se 200 “njësi kujdesi për pacientët me edicion të kufizuar” janë tashmë në përdorim të përditshëm në institucionet e kujdesit në të gjithë Japoninë.
Çmimi
Megjithatë, “pastrimi perfekt i dhëmbëve” nuk është falas. Do të duhet të paguani 200 euro për këtë luks dhe porositë paraprake janë të disponueshme në faqen e tyre të internetit.
Opinione të kundërta
Mediat sociale krijuan një hapësirë për komente. Disa e “mirëpritën” me entuziazëm idenë, ndërsa të tjerë e kritikuan ashpër.
“Jam lodhur duke larë dhëmbët, do ta blej menjëherë”, “Ndoshta kjo është e mirë për mëngjeset kur jemi me nxitim”, “Duket sikur pastrimi i kësaj furçe është më i vështirë sesa larja e dhëmbëve”, “Ndoshta do të vjellja nëse do të përpiqesha të përdorja këtë furçë dhëmbësh të rëndë”, janë disa nga komentet.








