Nurmagomedovi merr vendimin e radhës për të ardhmen e tij

Ish-kampioni i botës në peshën e lehtë, rusi Khabib Nurmagomedov, dy vjet pasi u tërhoq nga sporti si luftëtar, ka marrë një tjetër vendim.

Ai ka vendosur të bëjë një hap tjetër larg sportit të arteve marciale mikse, duke u tërhequr edhe nga pozicioni i trajnerit, duke mos stërvitur me ekipin e tij të luftëtarëve. Lajmin e konfirmoi faqja sportive ruse “Tass.ru”, nga disa burime pranë sportistit.

“Khabib u largua përfundimisht nga sporti i MMA-së. Ai nuk do të stërvitet më, nuk do të jetë më i pranishëm me ekipin në kampin stërvitor. Khabib e mori këtë vendim për të kaluar më shumë kohë me familjen e tij”.

 

Vetë Khabib ende nuk e ka konfirmuar këtë gjë, por prej disa ditësh qarkullojnë zërat për largimin e tij për përfundimtar nga bota e MMA-së. “The Eagle” i ka kaluar dy vitet e fundit, pas tërheqjes së tij nga sporti, si trajner, partner stërvitor dhe drejtues për një skuadër të fuqishëm luftëtarësh, shumë prej të cilëve nga Kaukazi, vendlindja e tij. Nxënësi i tij më i suksesshëm në kafaz është Islam Makhaçev, që fitoi titullin e peshës së lehtë në UFC, titull që dikur e mbante vetë Khabib. Ndërsa tani, ish-kampioni i pamposhtur i botës do t’i dedikohet më shumë familjes së tij. Ai është i martuar e ka 3 fëmijë.

“MMA më pëlqen, por duhet ta duash atë që po bën. Isha një adhurues shumë i madh i sportit, sepse synimi im ishte të bëhesha më i miri, të bëhesha kampion siç duhet të bëjnë të gjithë. Tani jam tërhequr dhe e kam mbyllur me gjithçka. Ndoshta për shkak se shkëndija brenda meje u shua dhe mendoj se ka pasur një rënie në MMA,” tha Nurmagomedov, duke analizuar vitin 2022.

LEXO EDHE:

Back to top button