Nxënësit e Medresesë kërkojnë akreditim për t’u regjistruar në universitete

Nxënëset e medresesë së vajzave “Isa Beu” në Tetovë marshuan nga medreseja deri tek Myftinia e Tetovës, për të shprehur pakënaqësinë e tyre, për mos njohjen e medresesë si shkollë të mesme. Ato kërkojnë nga Myftinia të zgjidh këtë problem pasi pavarësisht shkollimit katërvjeçar nuk mund të regjistrohen në universitetet e vendit.

“A mundet që medresantët pas përfundimit të medresesë si krejt nxënësit të regjistrohen në universitetet publike dhe private? Sigurisht përgjigjja është jo. Kërkesat tona, hasin në veshë të shurdhër nga Riaseti i BFI-së në vendin tonë, por edhe nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria. Sot ne po marshojmë që gjithë ju të dëgjoni zërin tonë. Mjaftë ishte. Duam drejtësi duam arsimim të barabartë si gjithë bashkë moshatarët tanë”, pohoi Esra Iljazi, medresante.

“E shihni edhe vet, protesta është lajmëruar që dje, ka qenë i njoftuar edhe myftiu edhe zëvendësi por e shihni arkivi është i mbyllur, nuk ka askush për ta dorëzu kërkesën. Por nuk e lejmë me kaq, ne do vazhdojmë”, tha : Nusret Iljazi, prind.

Bashkësia Fetare Islame hodhi poshtë akuzat. Në një reagim, BFI-ja thotë se prej 5 vitesh bën përpjekje për akreditimin e Medresesë së Isa Beut në sistemin arsimor të vendit.

“Si rezultat i asaj që vitin e fundit janë intensifikuar përpjekjet në këtë drejtim, tashmë është përgatitur drafti i cili në një afat të caktuar do të futet në procedurë parlamentare me qëllim të miratimit të ligjit. Në bisedat e shumta që ka pasur kryetari i BFI-së, Shaqir Fetai me bashkëpunëtorët e tij, ka marrë premtime se kjo çështje do të merr epilogun e vet pozitiv. Të këtilla janë garancitë nga faktorët relevant politik dhe Qeveritar, thuhet në reagimin e BFI-së.

Por Ministria e Arsimit në përgjigjen e saj, nuk lë të kuptohet se kjo çështje mund të zgjidhet së shpejti.

“Shkollat fetare nuk janë pjesë e sistemit arsimor kombëtar  i cili është i financuar nga shteti, pasi Kushtetuta e RMV-së parashikon sekularizëm. Për momentin MASH ka vendosur prioritete që kanë të bëjnë me përmirësimin e gjendjes së përgjithshme të arsimit”, thuhet në përgjigjen e dikasterit të Arsimit”, thonë nga Ministria e Arsimit.

 

LEXO EDHE:

Back to top button