Nxënësit e shkollave të mesme nuk do ta bojkotojnë mësimin “online”, ultimatum qeverisë prej një muaji

Nxënësit e shkollave të mesme kanë marrë vendim që nesër mësimin ta nisin online përmes Platformës Nacionale për mësim në distancë. Sot kryetari i këtij Unioni Blendi Hodai, tha se Qeveria i pranoi disa nga kërkesat e tyre, mirëpo siç tha ai, jo edhe kërkesën kryesore. Hodai tha se Qeverisë i japin ultimatum prej një muaji që në rast se gjendja epidemiologjike gjatë tetorit do të jetë e qëndrueshme, të zbatohet mësimi i kombinuar.

“Kemi bërë kompromis duke respektuar epidemiologët, që viti shkollorë të fillojë nga distanca. Por nëse gjendja epidemiologjike gjatë muajit tetor do të jetë stabile, atëherë nxënësit duhet të kthehen në shkollë gradualisht, me model të kombinuar. Nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë çdo nxënës do të bojkotojë mësimin online. Kjo nuk duhet të merret aspak si një kompromis, por përkundrazi, si një ultimatum”, deklaroi Blendi Hodai- Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme.

Sipas tij, jo zyrtarisht, numri i nxënësve që nuk kanë pajisje teknologjike që ta ndjekin mësimin online është mbi 80 mijë.

“Ne sipas informatave që kemi, nuk janë definitive, numri është rreth 80 mijë apo 90 mijë nxënës që nuk do e ndjekin dot mësmin online sepse nuk kanë laptop. Qeveria ka të holla shumë, ata duhet të dinë si t’i vënë ne funksion, e jo gjithë verën të merren me vauçer për pushime. Ne kemi propozuar që të krijohet një fondacion, që të gjithë filantropët dhe bizneset të ndihmojnë nxënësve që të paktën të kenë laptop”, tha Blendi Hodai- Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme.

Nga ana tjetër Hodai thotë se nëse Platforma Nacionale për mësim nga distanca edhe nesër nuk funksionon, atëherë do të kërkojnë që fajtorët të mbajnë përgjegjësi. Deri tani Qeveria ka pranuar disa nga kërkesat e këtij unioni, praktika në shkollat e mesme profesionale të realizohet me prezencë fizike, në shkollat e mesme të muzikës të shmangen aktivitetet me kore muzikore si dhe hapja e konvikteve për nxënësit e shkollave të mesme me kapacitet të përgjysmuar.

Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button