Nxënësit shqiptarë të Krushëves disa lëndë i zhvillojnë në gjuhën maqedonase

Nxënësit shqiptarë të Krushëves disa lëndë i zhvillojnë në gjuhën maqedonase

Gazetare: Melihate Rustemi

Pavarësisht se janë paralele me mësim në gjuhën shqipe, nxënësit e klasës së pestë të shkollës periferike “Kiril dhe Metodij” të fshatit Presil të Komunës së Krushevës, tre lëndë i zhvillojnë në gjuhën maqedonase. Siç na treguan vet nxënësit, në maqedonisht zhvillohet ora e Shkencave Natyrore, Arsimi Teknik dhe Informatika si dhe Arsimi Fizik. Nxënësit u ankuan për vështirësi në këto lëndë për shkak se akoma nuk kanë arritur njohuri të mjaftueshme në gjuhën maqedonase.

“Te cila lëndë e keni më vështirë? Te lënda e shkencave. Si e zhvilloni orën, a e kuptoni atë që ju flet mësuesja? Ne e kuptojmë por nuk e dimë si ta shpjegojmë edhe nuk dimë çfarë të lexojmë, nuk dimë si të lexojmë. Kur na pyet kemi probleme, nuk mundemi të shpjegojmë. Si kuptoheni në lëndën e Arsimit Teknik me mësuesen? Më shumë punojmë në kompjuter, bëjmë disa gjëra por, sërish nuk mund të kuptohemi shumë mirë”, tha një nxënëse..

Mësimdhënësi, Vedat Zeqiri tha se këto lëndë në gjuhën maqedonase zhvillohen që nga fillimi i këtij viti shkollor. Ai pranoi se nxënësit kanë ankesa të shumta për këto lëndë duke shtuar se nga ora mësimore dalin thuajse pa kuptuar asgjë.

“Shkaku i mungesës së kuadrit, vjet kemi pas, mirëpo këtë vit deri në konkurs na kanë thënë se do të mbahen. E kanë të vështirë shkaku se në gjuhën maqedone e mësojnë nga klasa e katërt. Te Shkencat Natyrore kanë direkt mësim, shpjegim ndërsa nga ana tjetër te gjuha maqedonase i mësojnë shkronjat. Nuk mundet edhe shkronjat ti mësoje edhe te shkencat të shpjegoje. Ai shkronjat nuk i njeh e tjetra i kërkon t’i jep shpjegime ose lexim, e kanë shumë të veshtirë”, deklaroi Vedat Zeqiri, mësues.

Të revoltuar janë edhe prindërit të cilët thanë se tashmë disa herë kanë kërkuar zgjidhje të kësaj çështje.

“Si është reagimi i fëmijëve kur ballafaqohen me një lëndë që duhet të jetë në gjuhën shqipe ndërkohë e mësojnë në gjuhën maqedone, e kanë vështirë? Vështirësi e madhe. Ne jemi të rritur dhe e kemi të vështirë të flasim një gjuhë tjetër e jo më një fëmijë 8 ose 9 vjeçar. Si të dijë ai të flas maqedonisht kur maqedonishten e mëson prej në klasë të katërt, dy orë në javë”, theksoi Seat Useini, prind.

Nga shkolla qendrore “Kirili dhe Metodij” të Komunës së Krushevës thanë për Alsat se orët zhvillohen në gjuhën maqedonase për shkak të mungesës së kuadrit shqiptarë adekuatë për këto lënde. Sipas drejtuesve të shkollës qendrore, në dhjetor pritet të hapet konkurs i ri për këto lëndë pasi paraprakisht Ministria e Arsimit të jep pajtueshmëri për këtë konkurs. Për momentin, në shkollën periferike të fshatit Presil mësojnë 44 nxënës, nga klasa e parë deri atë të pestë. Pavarësisht problemeve të shumta me të cilat përballen nxënësit e kësaj shkolle, ata nuk humbin entuziazmin për gjuhën shqipe, as sot më 28 Nëntor. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button