OBSH dërgon mjekë dhe furnizime në Turqi e Siri

OBSH dërgon mjekë dhe furnizime në Turqi e Siri

Organizata Botërore e Shëndetësisë po dërgon ekipe ekspertësh dhe avionë me furnizime mjekësore në Turqi dhe Siri pas tërmetit shkatërrues të së hënës së 6 shkurtit. Kreu i OBSH Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi në një konferëncë për shtyp se:

“OBSH ka dhënë 3 milionë dollarë amerikanë nga fondi i emergjencës për përgjigjen në të dy vendet dhe po ofron furnizime mjekësore, duke mbështetur të dy vendet dhe duke punuar me partnerët për të ofruar kujdes të specializuar mjekësor. Një fluturim është aktualisht në rrugë për në Stamboll, duke transportuar pajisje mjekësore dhe komplete të traumës kirurgjikale nga laboratori ynë i logjistikës në Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha ai.

Përfaqësuesi i OBSH-së për Sirinë, Dr Iman Shankiti u shpreh se nevojat shëndetësore janë të jashtëzakonshme.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për zonat të cilat janë të paarritshme për shkak të tërmetit që ka shkatërruar disa nga zonat atje që përdoren për transport. Nevojat shëndetësore janë të jashtëzakonshme. Është e rëndësishme të theksohet se sistemi shëndetësor sistemi shëndetësor sirian ishte tashmë në gjunjë pas vitesh lufte”.

Në Turqi, përfaqësuesi i OBSH-së Batyr Berdyklychev tha se më shumë se 53,000 njerëz u plagosën dhe pasgoditjet po vazhdojnë.

Menaxheri i incidenteve të OBSH-së për tërmetin, Rob Holden, tha se shumë njerëz kanë nevojë për mbështetje me “bazat e jetës”, si uji i pastër dhe strehimi në kushtet e përkeqësimit të motit.

Kreu i OBSH deklaroi gjithashtu se përhapja e fundit tek gjitarët e gripit H5N1, e njohur si gripi i shpendëve, duhet të monitorohet, por rreziku për njerëzit mbetet i ulët.

“Por ne nuk mund të supozojmë se do të mbetet kështu dhe ne duhet të përgatitemi për çdo ndryshim në status quo,” tha Tedros.

Ai tha se njerëzit janë këshilluar të mos prekin kafshët e egra të ngordhura ose të sëmura t’i raportojnë ato tek autoritetet lokale dhe kombëtare, të cilët po monitorojnë situatën.

OBSH rekomandoi gjithashtu forcimin e mbikëqyrjes në mjediset ku njerëzit dhe kafshët ndërveprojnë.
Numri i vdekjeve në të dy vendet aktualisht është më shumë se 12,000 njerëz. Zyrtarët e OBSH-së kanë vlerësuar më parë se numri mund të arrijë në më shumë se 20,000 vdekje pas katastrofës.

LEXO EDHE:

Back to top button