Ohri i mbushur për Vitin e Ri, çmimet e larta

Ohri i mbushur për Vitin e Ri, çmimet e larta

Gazetar: Miki Trajkovski

Çmimet e akomodimit në Ohër janë rritur për festat e Vitit të Ri. Sipas asaj që shihet në faqet e specializuara për rezervime turistike, çmimet sillen nga 100 deri në 520 euro, për dy net për dy të rritur, në varësi të ofertës dhe vendndodhjes së objektit. Çmimet në Strugë janë më të lira se në Ohër. Por nga Shoqata hotelierike thonë se çmimet për një prenotim njëditor sillen nga 70 deri në 100 euro me mëngjes të përfshirë.

“Çmimi real për natën e ndërrimit të viteve varet nga kategoria e hotelit apo restorantit dhe sillet nga 30 euro deri në 60 euro ku mund të bëni festë të mrekullueshme. Në varësi të kategorisë së hoteleve me 3 dhe 4 yje, mund të gjeni prenotime nga 220 deri në 280 euro, dyditore dhe treditore”, tha Lupço Cvetanoski, menaxher hoteli.

Por pavarësisht, kapaciteti sillet nga 70 deri në 100% të ambienteve të hotelit dhe kërkohet më shumë hapësirë në ambientet private të akomodimit. Kjo do të thotë se pritet pjesëmarrje rekord. Të ftuarit më të shumtë do të jenë nga Bullgaria, Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi.

“Sezoni turistik këtë vit ishte shumë i suksesshëm dhe rezultatet e funksionimit të deritanishëm të të gjitha objekteve akomoduese në Ohër sollën rezultat, festat e Vitit të Ri u shitën shumë më herët”, theksoi Lupço Cvetanoski, menaxher hoteli.

Punonjësit turistikë këshillojnë që autoritetet komunale, duke ndjekur shembullin e destinacioneve turistike fqinje, të dinë shumë më herët se kush do t’i argëtojë mysafirët në sheshin e qytetit, në mënyrë që agjencitë ta përfshijnë këtë në ofertat e tyre.

“Kjo përsëritet tashmë një dekadë. Fatkeqësisht, këtu ka shumë mospërputhje, duke pasur parasysh se rezervimet për Vitin e Ri tashmë janë bërë, disa në maj, disa në gusht ose shtator. Akomodimet private janë përplot, s’ka dhomë të lirë, që do të thotë se Ohri do të jetë i mbushur me njerëz dhe prandaj mendoj që ofertat duhet të ishin bërë më herët, si për pritjet në restorante, ashtu edhe për pritjet në shesh”, tha Vllado Suklloski- punonjës turistik.

Komuna vetëm të premten, më 19 dhjetor, ka shpallur emrat që do të argëtojnë mysafirët e Ohrit. Bëhet fjalë për artistë vendas. Në Strugë nuk do të ketë pritje të organizuar në qiell të hapur. Ohri dhe Struga, veçanërisht Ohri dhe për Vitin e Ri do të ofrojnë çmime për shërbimet si në kryeqytetet evropiane. Një kafe shitet nga 100 deri në 180 denarë, një pica nga 400 deri në 500 denarë, një lëng nga 120 deri në 180 denarë, një birrë nga 140 deri në 250 denarë kurse një hamburger nga 290 deri në 450 denarë./Alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button